MALI i DAJTIT për Argëtim

Lehtizat në Malin e Dajtit janë gjithnjë shlodhëse, qetësuese dhe frymëzuese. Ky mal ka bukuri të veçantë në stinën e vjeshtës në periudhën midis javës së fundit të muajit Tetor (në mvartësi të kushteve të motit) e deri në mesin e muajit Nëntor. Gjatë ditëve të kësaj periudhe në këtë mal natyrën përreth e zbukurojnë ngjyrat vjeshtake të gjetheve të drurëve të ndryshëm. Bukuria e natyrës do të jetë epërore nëse kemi fatin që duke filluar nga mesi i muajit Tetor, për tre javë, moti të mbajë pa shira dhe pa erë të fortë. Veç kësaj, nëse n’ato lartësi do të kemi netë me temperatura nën zero gradë Celcius, kjo bën që të rritet bukuria e ngjyrave të gjetheve.

Bukurinë e vjeshtës në malin e Dajtit njeriu mundet ta shijojë më shumë nëse kalon orët në natyrë në këto vende:
1. Nëse ndiqni të nisur nga Tirana rrugën automobilistike deri tek tabela treguese për kështjellën dhe këtu të filloni ngjitjen do të arrini tek kështjella prehistorike, të cilës i kanë mbetur vetëm rënojat e murit rrethues me gurë të pa lidhur. Këtu, ju do i jetoni dhe shijoni edhe më fort ngjyrat e pyllit të vjeshtës në këtë zonë.
2. Tek Fusha e Dajtit. Tarraca apo Fusha e Dajtit u krijon mundësi për hapësira për lojë dhe lehtizë, si dhe për të soditur pamjet tërheqëse të natyrës, qytetit dhe rrethinave të Tiranës, e madje, nën një qiell të pastër, edhe pamjen e largët të bregdetit rreth qytetit të Durrësit.
3. Nëpër Shtegun e Tërthortë. Në zonën e Fushës së Dajtit (pranë teleferikut) nëse niseni nga rruga e makinës dhe i ngjiteni malit drejt e përpjetë pa u ndalur për rreth 5 deri 10 minuta (kjo varet nga pika e nisjes) ju do të arrini në një lehtizore të ‘shtruar’ (shtegu i tërthortë) e cila dikur përdorej nga udhëheqësit e sistemit enverist për lehtizë. Tek të arrini këtu vini (ose mbani mend) shënja orjentuese në mënyrë që të dini vendin se ku do të filloni zbritjen pasi të ktheheni nga lehtiza. U këshillohet që të lëvizni majtas; shtegu i shkon malit tërthor, majtas e djathtas. Lëvizja nga ana veriore (majtas) u nxjerr në grykën e Tujanit e prej aty duke ndjekur ‘rrugën’ ju mundet të shkoni edhe ca më tej, përtej tunelit, për të soditur format e guximëshme e të thikta të relievit të malit nga kjo anë. Bëni kujdes që kur të mbarojë rruga e ‘shtruar’ të mbani shtegun e sipërm!
4. Kreshta e Dajtit. Nëse dëshironi të sodisni vjeshtën dhe natyrën përreth nga një lartësi mbizotëruese e malit, u këshillohet që të ndërmerrni udhëtimin e Kreshtës së Dajtit. Ky udhëtim u mundëson jo vetëm që të jetoni për disa orë me pyllin dhe malin në vjeshtë por njëherësh u jep rast që të soditni pamjet magjepëse që u hapen në të dy anët e kreshtës duke kundruar kështu një teritor të gjërë të Ultësirës Perëndimore dhe Maleve Qëndrore të Shqipërisë. Për të realizuar kalimin e Kreshtës së Dajtit u duhet që me mjet të shkoni deri pranë (rreth një km para qafës) Qafë Priskës dhe prej aty të filloni ngjitjen e cila në 45 minutat e para është e lodhëshme (pjerrësia mesatare është 30 gradë). Marshimin e përfundoni në Majën e Dajtit (1613m.) dhe prej aty uluni drejt e në Fushën e Dajtit.
Ky udhëtim (rreth 5 orë) ka vlera të veçanta edhe në stinën e dimrit, porse në të dy rastet u duhet një shofer i cili do u presë tek Fusha e Dajtit.
5. Maja e Tujanit dhe Maja e Dajtit. Nga Fusha e Dajtit mundet që të ngjiteni drejt e tek Qafa e Qershisë. Qafa është një vend i këndëshëm për të kaluar kohën dhe nëse dëshironi të ngjiteni më tej, prej aty mundet të vazhdoni për në Majën e Tujanit (drejtimi majtas) ose të Dajtit (drejtimi djathtas).

Duhet të keni parasysh se kalimi i Kreshtës së Dajtit, në veçanti, apo ngjitjet në çdonjërën nga majat, kërkon që të ndërmerren nga ju nëse jeni ushtruar fizikisht në mënyrë të rregullt. Në të kundërt, lodhja që do u shkaktojë veprimtaria fizike do u venisë bukurinë e malit.