Alpinizëm dhe jo alpinizëm
APLINIZMI
Alpinizmi është sporti i ngjitjes së maleve. Më saktë, alpinizmi është sporti i ngjitjes në majën e një mali duke zbatuar teknika të kapërcimit të relievit malor dhe me raste edhe duke zgjidhur probleme taktike e organizative të paramenduara dhe/ose të çastit.
Alpinizmi ka veçoritë e tij karakteristike, sikundër çdo sport tjetër i ka të tijat, si:
• Nuk ka veprimtari ku garojnë sportistë ose ekipe sportive midis tyre.
• Është një sport i llojit të një ushtrimi dëfryes. Ai është kënaqësidhënës dhe kënaqësia vjen nga sfidimi i relievit malor dhe i elementëve të natyrës nëpërmjet përpjekjeve individuale, kolektive, ose të dyja bashkë.
• Alpinisti ose ekipi alpinistik përballet jo me individë, por me relievin malor dhe me elementët e natyrës.
• Itenerari i arritjes në majë zgjidhet nga vetë individi, ose ekipi mbi bazën e synimit apo dëshirës, aftësive për kapërcimin e relievit si dhe faktorëve të tjerë dytësorë.
• Arritja alpinistike vlerësohet nga komuniteti alpinistik me masën e kënaqësisë shpirtërore dhe të madhështisë së sfidimit të relievit, por edhe të elementëve atmosferikë, që lë në të (komunitet) itenerari i realizuar nga individi, ose grupi i alpinistëve.
• Ushtruesit e alpinizmit janë njohës, mbështetës dhe veprimtarë të problemeve bashkëkohore të mbrojtjes së natyrës.
JO ALPINIZËM
Nëse, do të bënim një listë të atletëve ngjitësa, ata do i emërtonim në ngjitës malesh (alpinistë), ngjitës të faqeve shkëmbore (kacavarës), ngjitës të harcave (kacavarës), ngjitës të akujve (përsëri kacavarës) si dhe bjeshkatarë, të cilët shkojnë në mal për lehtizë, ose i ngjiten majës së malit në rrugë të thjeshta.
Tek ngjitesh në një mal, nga rrëza e tij e deri në majë, itenerari i zgjedhur të detyron të ecësh në të përpjeta e të tatëpjeta, si dhe të kacavaresh (të përdorësh njëherësh duart e këmbët për tu ngjitur a për të zbritur). Aty ku relievi është i vështirë për t’u kaluar, jo rrallë përdorim sigurimet me litar si dhe pajime të ndryshme që lehtësojnë kalimin e relievit apo edhe kalimin e një nate jashtë. Në këtë aventurë ngjitjeje, pjesa më emocionale e itenerarit është kacavarja. Dhe ndoshta, pasuria emocionale e kacavarjes gjatë sfidës për kalimin e relieveve me pika- kapje e mbështetje të pakta, ka bërë që format e relievit kacavarës të imitohen dhe të sillen në palestra të mbyllura a të hapura në formën e mureve apo kullave.
Kacavarja
Tashmë, prej vitesh muret e ndërtuara, të cilat imitojnë relievin shkëmbor janë bërë pjesë e palestrave sportive. Këto mure mundësojnë të ashtuquajturën kacavarje artificiale (në kuprtimin se nuk janë kacavarje në reliev natyror) ose kacavarje sportive (kur zhvillohen në formën e garës).
Kacavarja e mureve artificiale ka një sërë përparësish, krahasuar me kacavarjen natyrore: me muret e ndërtuara, kacavarësi nuk ka se përse të shqetësohet rreth motit të keq (në ambjentet e mbyllura), akullit në shkëmb, errësirës së mbrëmjes apo temperaturave të ulta. Ato kanë gjithashtu përparësi lidhur me malet: aty vendosen litarë sigurues pa vështirësi dhe itenerarët në to mund të përshtaten për nivele të ndryshme të aftësive kacavarëse. Thuajse, të njejtat favore ka edhe kacavarja artificiale në muret, apo kullat e ndërtuara në vende të hapura.
Muret artificialë janë një mënyrë e mirë për fillestarët që të mësojnë, për kacavarësit e avancuar për të përsosur aftësitë e tyre, si dhe për alpinistët për stërvitje, apo edhe gara.
Muret e kacavarjes, fillimisht u ndërtuan (por edhe sot ndërtohen) me kompensatë. Kapjet e ngjashme me ato të shkëmbit punohen veças dhe më pas mbërthehen në to. Ka mure për kacavarje, të cilat janë ndërtuar të duken e të ndjehen sikundër faqe të vërteta shkëmbore.
Ka mure të ndërtuar me plastikë, ka edhe të ndërtuara me beton dhe granit të thërmuar, të cilat duken sikundër shkëmbej shtufor. Pikat e kapjes për duart e këmbët krijohen gjatë ndërtimit.
Kullat e kacavjerjes janë një tjetër krijim artificial për kacavarësit: ato mbahen nga shtylla në çdo cep të tyre dhe e përdorin njerën anë për ulje (zbritje) me litar, e të tjerat për kacavarje. Blloqe druri janë fiksuar në sipërfaqen prej kompesate për të imituar buzë shkëmbore për duart e këmbët. Anët e ndryshme të kullës mendohen me konfiguracione, të cilat i përshtaten tre kategorive lidhur me aftësitë e kacavarësve: fillestarë, të mesëm e të avancuar.
Muret e kullat e kacavarjes janë kthyer edhe në arena sportive të kacavarjes, madje deri në organizim të kampionateve botërore.
Kacavjerja si proces, është diçka fizike dhe mendore. Kacavarësi, duhet të planifikojë çdo lëvizje dhe të jetë i pozicionuar në mur (kullë) sikundër duhet. Kjo, d.m.th. se i duhet të zgjidhë shumë situata problemore. Kacavarja është një mrekulli për të testuar vehten si dhe mundësi për të nxënë që të mbetesh i qetë. Nuk është sikundër sportet e tjera, sepse këtu nëse ju kapeni nga paniku, ju rrëzoheni. Në sportet e tjera nuk ndodh kjo. Porse, të rënët është pjesë e kacavarjes: kacavarësi duhet të stërvitet se si të manovrojë që kur të bjerë, të bjerë në mënyrë të tillë, që të dëmtohet sa më pak. Dhe për fatin e mirë, të rënët e kacavarësit nga muret artificialë të kacavarjes, është një problem shumë më i vogël se ai i rënies së alpinistit në mal, sepse ai në vendin ku bie ka mbushje sintetike të ngjashme me ato të atletëve të kërcimit së larti, apo kërcimit me shkop.
Kacavarja e mureve dhe kullave të ndërtuara, ka frymëzuar një sport krejt të ri: kacavarjen sportive. Sot, në vende të ndryshme, organizohen aktivitete garuese të llojeve të ndryshme në kacavarje por në fillimet e këtij sporti kacavarësit konkuronin në mure artificiale (si të ndërtuar në ambjente të mbylluara edhe në ato të ndërtuara në ambjente të hapura) në dy fusha:
– shpejtësi, në të cilën kacavarësi që arrin më shpejt në krye të ‘shkëmbit’ shpallet fitues,
– vështirësi, në të cilën kacavarësi ballafaqohet me lëvizje gjithnjë e më të vështira, ndërkohë që përparon në lartësi. Kacavarësi, i cili arrin më lart shpallet fitues.
Veprimtari të tilla garuese, sot zhvillohen rëndom, madje edhe gjatë një fundjave, me vajza e djem, të cilët konkurojnë ndarazi. Në vende të ndryshme të botës, si rregull ka klasa stërvitore për amatorë të të gjitha moshave për të testuar aftësitë e tyre një ditë para fillimit të konkurimit.
Vlen të theksohet se në disa prej garuesve të kacavarjes sportive, por edhe në të rinj të zakonshëm, muri kacavarës është bërë pjesë e terrenit të tyre sportiv në oborin e shtëpisë, ose në dhomën e tepërt të shtëpisë.
Krahas kacavarjeve në mure, që imitojnë shkëmbin, organizohen edhe kacavarje në ambjente me akull artificial. Konstruksione druri, ose metalike, apo edhe objekte sociale si garazhe makinash etj., mundësohen që të vishen me akull, duke ngrirë ujin e spërkatur në to. Në formacionet e ngrira që krijohen, organizohen gara e kampionate sikundër edhe në imitacionet e shkëmbejve. Me raste, të tilla gara organizohen edhe në formacione natyrale mjedisesh të ngrira.
Një lloj tjetër kacavarje, që kryhet nga pak atletë, është kacavarja e lirë. Në këtë lloj kacavarje, atleti nuk përdor pajisje: ai ka një qeskë me magnezium, ku hera herës ngjyen gishtërinjtë dhe kacavaret në mure të vëtrteta shkëmbore, që me raste janë edhe mbi 100 metra. Në procesin e kacavarjes ai ka një përqëndrim të veçantë dhe besueshmëri të lartë në forcën fizike të krahëve të tij si dhe në aftësitë teknike kavcavarëse. Kjo lloj kacavarje është me rrezik (nuk ka fare sigurim me litar dhe nuk përdoren pajisje alpinistike). Në këtë kategori, hyjnë edhe ata që kacavaren e ngjitjen në godinat më të larta në qytete të ndryshme të botës. Atletët, të cilët ndiejnë kënaqësi me këtë lloj aktiviteti të rrezikshëm, janë të paktë.
Kacavarja e lirë, dallohet nga ngjitja solo (vetanake). Në ngjitjen solo alpinisti ngjitet i vetëm, madje deri në majë të malit, por ai përdor litar dhe pajisje alpinistike për t’u siguruar. Ai,vetësigurohet nga poshtë (e lidh litarin në plengën më të poshtme të segmentit që ngjit) e ngjitet në një farë lartësie, si një filltar, e njëherësh ndjekës në detyrën e siguruesit (nuk ja vlen ta spjegojmë zbatimin e këtij roli gjatë ngjitjes), ku bën rishtas sigurim (e lidh apo fikson litarin në lartësinë ku arrin). Pas kësaj, ai ulet poshtë dhe fillon (kryen) rolin e ndjekësit duke marë të gjitha materialet e përdorura gjatë ngjitjes. Sigurisht, që kjo ngjitje në kohë zgjat ma shumë (alpinisti si të thuash e bën ‘rrugën’ dy herë: ngjitet 20 a më shumë metra duke bërë punën e filltarit, pastaj zbret deri në fund të segmentit të ngjitur dhe bën punën e ndjekësit).
HARCIMI
Zhvillim të madh ka marë kohët e fundit harcimi që është kacavarja në një harc, (një gur a një shkëmb i madh) i cili ndodhet në një vend të lehtë për tu arritur (vend i rafshtë ose jo por pranë rrugëve të komunikacionit). Grupe të rinjsh, të pajisur me këpucë të veçanta për kacavarje dhe qeska magneziumi, tentojnë t’i ngjiten harcit në drejtime nga ma të ndryshmet duke garuar ose jo, e duke demonstruar aftësi kacavarëse.
Teksa njëri kacavaret në bazën nga fillon harci, vendoset një shtrojë e veçantë që mbron atletin nga dëntimi në rast se ai bie, por njëherësh shoqëruesit e kacavarësit qëndrojnë në gatishmëri, që nëse ai bie, ata i vendosin duart në trupin e tij që ai të përfundojë në tokë sa më vertikalisht. Sikundër kuptohet, në këtë kacavarje nuk përdoren pajisje teknike dhe harci si rregull nuk i kalon 5 metra lartësi. Kur organizohen garat e harcimit, shkëmbi (artificial) mundet të jetë edhe më i lartë, por në këtë rast shtresa mbrojtëse në bazën e nisjes është një shtrojë sfungjeri e trashë dhe e sigurtë për goditje të butë të kacavarësit në të.
BJESHKIMI
Bjeshkimi, është argëtimi a kënaqësia që të jep ngjitja në itenerarin e thjeshtë për në majë të malit, ose një lehtizë (shëtitje) nëpër shtigjet e një mali. Për realizimin e ngjitjes së malit, ose të lehtizës, bjeshkatari nuk ka nevojë të përdorë pajisje teknike, të cilat i përdor për të kapërcyer terrenet e thyera një alpinist apo një kacavarës. Një shkop i zakontë apo një stekë skishë, janë si rregull të pranishëm në pajimet e bjeshkatarit, ku veç tij përfshihen edhe mjaft pajime të tjera, të cilat lidhen me kalimin e natës dhe të argëtimit në natyrë. Edhe një litar vlen që të merret e të përdoret në rastet, kur dikush ka nevojë për më shumë siguri në kalimin e terrenit të thyer ose kalimin e një lumi.
Bjeshkimi, është një mënyrë e këndëshme e kalimit të kohës së lirë në gjirin e natyrës nga kushdo, nga grupe me dy a më shumë të rinj e të reja, nga familjarë dhe fëmijët e tyre.
RANCAT
Dashamirësit e natyrës, të cilët pushojnë në gjirin e saj duke udhëtuar, ose duke udhëtuar e fushuar, (kampuar) quhen ranca (njerës që mbartin në shpinë një çantë). Nëse do i krahasonim rancat me bjeshkatarët, do të thonim se, ndërsa bjeshkatarët i drejtohen vetëm malit, rancat i drejtohen jo vetëm malit por edhe kodrës, fushës, lumit, liqenit, etj. Në një farë mënyre rancat janë dashamirës të shlodhjes e argëtimit në natyrë pa dallime të relievit të natyrës.
Edhe kalimi kohës së lirë në natyrë si ranca, është një mënyrë e këndëshme e të qënit në gjirin e natyrës nga kushdo, nga grupe me dy a më shumë të rinj e të reja, nga familjarë dhe fëmijët e tyre.
GARA MALORE
Garat malore janë nga më të ndryshmet. Pjesmarrësit në këtë rast janë të veshur sikundër atletët në garat që zhvillohen në stadiume. Duke u ndalur vetëm në garat që zhvillohen më këmbë përmendim:
a. Ngjitjet në majën e malit. Kjo si rregull kryhet duke kombinuar vrapimin me ecjen. Itenerari për në majë, zgjidhet i thjeshtë dhe përfundon në majë të malit ose me kthim poshtë tek pika ku fillon gara.
b. Qarkimi në një zonë malore. Në këtë ‘maratonë’ para përcaktohet itenerari i lëvizjes përqark një masivi malor. Gara mund të jetë me vrap e disa orëshe, ose edhe me hap e disa ditore dhe kalon nëpër qendra të ndryshme të banuara.
Marrë nga botimi “Argëtime në Natyrë”, Botimet TOENA