Projekt kalendari përçapës i veprimtarive 2022
- Show Type
- All
- Event
- Aktivitete
Sqarime:
- Në kalendar nuk vendosen data ngaqë veprimtaritë organizohen në fundjavën (duke filluar nga e para e muajit) që premton mot të mirë, në bazë të parashikimeve 3 deri 5 ditore,
- Gjatë muajve Janar dhe Shkurt Mali i Dajtit, Mali i Priskës dhe Mali me Gropa do të jenë gjithnjë vende të mundëshme ku ne do të kryejmë veprimtari me synim stërvitor, kryesisht për të përvehtësuar teknika të kacavarjes në shkëmb (në poligonin e kacavarjes), si dhe të kalimit të relievit të mbuluar me borë dhe/ose akull.
- Në kalendar, deri tani, nuk mund të parashikojmë veprimtari që do të organizojnë organizata të tjera sportive në të cilat anëtarë të shoqatës sonë do të mund të marrim pjesë, si ato të vendit tonë ashtu edhe të FBAK-ut (Kosovë) ose BMU (Balkan Mountaineering Union).
- Në kalendar nuk mund të parashikojmë pjesëmarrje në veprimtaritë që pritet të organizojë FSHALTM që si rregull janë dy; nga një në dy sezonet kryesore (dimër e verë).
- Në rastet kur në një fundjavë me mot të mirë do të na lindë pyetja “Ku mund të shkojmë këtë fundjavë?” në kalendar është shënuar, për çdo muaj, edhe veprimtari tjetër.
- Në kalendar janë parashikuar dy takime në lokalin Kafe Sofia për dy data të rëndësishme: përkujtim festues në datën e ngjitjes së majës Everest (25 Maj 2012) nga gjashtë alpinishtë shqiptarë si dhe datën e krijimit të shoqatës sonë (8 Dhjetor 2012). Këto dy veprimtari kanë karakter kryesisht shoqëror (të takohemi). Këtu mund të caktojmë edhe takimet “Mbledhje e Asamblesë”.
- Dy veprimtari kanë një datë të paracaktuar sipas një rregulli:
- Në muajin Tetor gara malore “Unaza e Priskës”, për do vit, do të organizohet të djelën e parë pas datës 15 Tetor.
- Në muajin Korrik veprimtaria e Jezerës do të organizohet, për çdo vit, në fundjavën e tretë të muajit. Ky mal është ngjitur për qëllime argëtuese nga të rinj Shkodranë në 25 korrik 1934.
Shtesë: sipas dokumentave (të shkruarave) në datën 21 korrik 1927 është ngjitur nën drejtimin e Avni Zajmit një grup të rinjësh të Shoqatës Gjurmusia Shqiptare nga Tirana në majën e Tomorit. Këtë ditë ushtoi thirrja “zig zag, zig zag, hej hej hej, alpinista jemi ne”. Le ta kujtojmë 95 vjetorin e lindjes së kësaj thirrjeje me njërën nga veprimtaritë e muajit korrik 2022 (“Dita e Zig-Zagut”).
SHBA Tirana