Bjeshket e Namuna

Emërtesa – “Bjeshkët e Namuna”

Një shkrim pa pretendimet e një gjuhëtari

Jo çdo bllok malor emërtohet alpe (në gjuhët e vjetra al ka kuptimin e diçkaje të lartë ose që është lart). Fjala alpe në një farë mënyre është një “titull” i veçantë, që i jepet një blloku malor.  Sikundër e dimë, relievi i Shqipërsë mbulohet nga male të shumta. Të grupuara ato emërtohen Vargu Lindor, Krahina Malore Qëndrore, etj., por vetëm blloku malor në veri të vendit, Bjeshkët e N(ea)muna, emërtohet, apo njihet me emrin Alpet e Shqipërisë. Dhe kjo, sepse ky bllok malor ka karakteristika të alpeve: kreshta malore që formojnë lugina të thella e të bukura të përshkruara nga lumej me ujë të kthjellët, pyje që veshin faqet e luginave; mbi pyje kullota të pasura, e mbi to majat e maleve, ku bimësia vjen e bie me rritjen e lartësisë, kurse borërat shekullore bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e relievit ma të sipërm të malit. Madje këto bornaja në pjesën veriore të majës së Jezerës (jezerë = mjegull) formojnë një akullnajë. Kurrë nuk na kanë mësuar nëpërmjet lëndës (apo teksteve) së gjeografisë se në vendin tonë kemi një akullnajë të vogël.

Bukuria dhe madhështia e këtyre maleve bënë që për shumë vite të merrem me sportin e alpinizmit. I frymëzuar nga disa prej bëmave të mija dhe të shokëve të mi nëpër këto male u bë e mundur që një ditë të ulem e të shkruaj një libër me kujtime të titulluar NËPËR BJESHKËT E NAMUNA, (BOTIMET TOENA). Në tregimin NËNTORI 1969, në faqen 75 është ky paragraf:

         E kam të vështirë ta zbërthej dhe të kuptoj se përse këto bjeshkë janë emërtuar të namuna, pra të nëmura apo mallkuara. Së pari ato bjeshkë nuk janë rrafshina që të pretendosh për të udhëtuar  lirshëm nëpër to, por deri në thellësi të tyre futen lugina të bukura ku jetojnë blegtorë e ngrihen fshatra piktoreske. Me kafshë barre, tjetri mund të shkojë tek sejcila prej tyre, por jo të udhëtojë lirshëm nga njëra tek tjetra mbasi ato shpesh ndahen mes tyre me hone a thepisje të pakalueshme. Në lartësi ato janë vërtet me burime uji të rralla, por po të udhëtosh së shumti një orë, pra më pak nga sa mund të krijohen shqetësime për etje për njerinë a kalin e tij, do të gjendet burimi. Nëse me emërtesën e këtyre bjeshkëve ndërthuren legjenda, atëherë unë mendoj se legjenda është një tregim të cilin njerëzit, për shkak të bukurisë që ka, shpesh i besojnë edhe asaj që nuk duhet besuar. Megjithatë, mendoj se për blegtorët këto bjeshkë kanë qënë e janë vetëm të bekuara: të bekuara sepse janë kullota të pasura, të bekuara për ujë burimi e bornaja shekullore, që i rrethojnë ngado, të bekuara për bukurinë e rrallë përqark tyre dhe relievin me forma nga më të guximëshmet që daltat e elementëve të natyrës e kanë përkryer ndër shekuj si rrallë kund në këtë botë. Besoj se blegtorët i kanë emërtuar të ‘mallkuara’ pikërisht sepse janë të bekuara deri në mrekulli; me një emërtesë të tillë, që e keqja, KEQI i paragjykimeve ndër brezat e blegtorëve të thellësive të shekujve, nuk do i cënojë ato.

Duket kjartë që kur isha ende i ri, e konsideroja të pakuptimtë që të cilësohen ato bjeshkë si të mallkuara dhe spjegimin e kam kërkuar tek besëtytnia. Porse gjatë viteve, herë pas here, në mediat e shkruara ka patur shkrime që janë marrë me temën si më sipër. Ato shkrime më kanë nxitur dhe orientuar që edhe unë të jap mendimet e mia, por tashmë ndryshe nga ato si të paragrafit të më sipërm, ngase i shoqëroj me argumenta dhe jo me besëtytni. Tani që e kam të stisur me vehten time argumentimin për cilësorin e bjeshkëve e ndjej që përfundimin që kam nxjerrë, sot ta ndaj me sa më shumë lexues.

namnuna
Fotografi 1: Rrethimet e kullotave rrugës për në Rapsh

Sikundër e përmenda, hera-herës na bien në dorë shkrime nëpërmjet të cilave autorë të ndryshëm synojnë të spjegojnë emërtesën “Bjeshkët e N(ea)muna” të alpeve tona. Tani do rrekem edhe unë të jap ndihmesën time në këtë temë. Por paraprakisht dua të theksoj se nga banorët në fshatrat mes alpeve apo nga barinjtë në bjeshkët e alpeve fjalën n(ea)mun e kam dëgjuar me zanore të parë një a hundore (as e të ‘pastër’ dhe as a të ‘pastër’) e cila në ditët tona thuajse po humbet si pasojë (besoj) e shkollimit dhe rëndom po e dëgjojmë edhe në ato anë të shqiptuar namun.

  1. Shkrimet që kam lexuar, në të cilat përmendet kjo emërtesë, mbështeten në legjendat, gojdhanat, këngët e kreshnikëve, etj. E gjithë kjo lëndë nuk shkon më larg në kohë se mesjeta e vonë. Besoj se bjeshkët në fjalë kanë patur një emërtim tejet më të hershëm se ajo kohë.
  2. Nga autorët, në studime, përmendet edhe emërtesa sllave “Proklete Pllanine.” Sllavët janë disi të vonë në Ballkan. Ata janë të vonë edhe në alfabetin dhe shkrimet e tyre krahasuar me latinët dhe them se në kohën e ndërtimit/krijimit të shkrimit të tyre ata e kanë pas njohur emërtesën “Bjeshkët e N(ea)muna” dhe e kanë përkthyer ashtu sikundër, ndoshta, u tingëllonte edhe autoktonëve të asaj kohe. Mendoj se në atë kohë (nëse të dy popujt i jepnin cilësorit të njëjtin kuptim) ata gabonin.
  3. Historikisht emërtimet e para të vendeve, të shkruara (ndoshta) dhe të trashëguara gojarisht sikundër ndodh me shqiptarin janë vendase (shqip) dhe më pas kanë ardhë emërtimet në latinisht (apo në greqishten e vjetër). Porse emërtimet në latinisht thuajse gjithnjë janë fjalë “të shtrëmbëruara” sikundër edhe fjalët që kanë hyrë në gjuhën tonë nga gjuhët e popujve të tjerë fqinjë me ne. Kështu si shembull po sjell nga zona e alpeve tona lindore dy emërtesa latine: Valbona dhe Këlsyra (Klisura).
    1. Valbona, në gjuhën latine është: vallis bona  (luginë e bukur/e mirë).
    2. Këlsyra, që e gjejmë edhe Klisura, në gjuhën latine është Claustrum, por edheclaustra, orum (grykë, ngushticë).
  4. Ky realitet më shtyn që edhe emërtesën “Bjeshkët e N(ea)muna” ta gjurmoj në latinisht, mbasi është një emërtesë e një teritori të gjërë të popullatës blegtore, që ka qenë dominuese në periudhën e Perandorisë Romake (e deri sot).

 

namnuna
Fotografi 2: Rrethimet e kullotave në shpatet jugore të malit Veleçik

Konkretisht.

  1. Në latinisht: Nĕmus = korie (pyll i vogël me drurë jo shumë të lartë), prozhëm (prozh-i = vath/ë-a); [Autorë Henrik Lacaj dhe Filip Fishta, Fjalor Latinisht-Shqip, Botimet Saraçi, Tiranë 2004]
  2. Në shqip [Me autor Mehmet Elezi, Fjalor i Gjuhës Shqipe, Enti Botues Gjergj Fishta, 2006] Prozhm/e-ja = rrathim-i (shiko edhe argaç = vend i gardhuar; torishtë, vathë me gur, ferra e degë për dhen në bjeshkë; mbajs), rrethim me megja – kufinj që ndajnë arat a kullotat, pyll. Dhe, po aty, më tej:
  3. Rrathim-i = tokë arë ose kullotë rrethuar me mur të thatë, diku me ferra, etj.; rrathinë, rrethe, rrethinë; shih edhe argaç, prozhme, rrethogë [= livadh i rrethuar me mur që të kullosë gjëja, etj.] (Malësi e Madhe).

sheuibardhe
Fotografi 3: Fragment i murit prej guri në kullotat pranë Sheut të Bardhë

Në verën e vitit 1964 bëja pjesë në një treshe alpinistësh që na ra shorti të studionim vlerat alpinistike të zonës rreth Sheut të Bardhë (ndërmjet maleve Maja e Madhe, Maja e Lakojve, Maja e Jezerës dhe Maja e Arapit). Ne vendosëm tendën rrëzë malit të Prozhmit. Për mua ishte mbresëlënës numuri i madh i staneve (rrathime me mur me gurë në të thatë), sidomos në të djathtën orografike të Fushë Runicë-s, si dhe një mur tejet mbresëlënës, vende-vende i dyfishtë dhe disa qindra metra i gjatë i ngritur pak pasi kalon Qafën e Pejës e deri në Fushë Runicë. Këto mure duken, edhe sot, si ndarëse të kullotave. Dhe sigurisht që më shkon mendja që emërtesa e atyre bjeshkëve në kohët antike të ketë patur si cilësor fjalën latine nemus, që me kohë, si fjalë e huaj në gjuhën shqipe, është tjetërsuar në gegërisht në formën næmun.

Uroj që sa më sipër të qëndrojë dhe shqipfolësit, por edhe më gjërë, të jenë të vetëdijëshëm për kuptimin e kaherëshëm të cilësorit të bjeshkëve të veriut. Dhe nëse ndodh kjo, një ditë edhe në botimet dhe mediat e shkruara Alpet tona ndoshta do të kenë emërtesën Bjeshkët Nemos ose Bjeshkët me Mure apo Bjeshkët me Rrethime.

namun-larg
Fotografi 4: Pamje e fotografisë 3 e realizuar nga lart e nga larg

Nga Aleksandër Bojaxhi, Mjeshtër i Edukimit

Shënime:

  1. Fotografia e parë është marrë nga rruga automobilistike duke u ngjitur për në Rapsh (Kelmend). Ka mjaft mure me gurë në të thatë që kufizojnë kullotat përgjatë kësaj rruge. Sot në këtë zonë muret nuk janë dhe aq të dallueshme sepse janë zhvilluar shkurret.
  2. Fotografia e dytë është marrë nga maja e Veleçikut. Duken qartë rrethimet me mure të ulta punuar me gur në të thatë që rrethojnë kullotat.
  3. Fotografia e tretë është një fragment i murit prej guri në kullotat pranë Sheut të Bardhë. Fotografoi Ervin Dervishi.
  4. Fotografia e katërt është e zonës së fotografisë 3 por e realizuar nga lartësitë pranë majës së Prozhmit. Fotografoi Ervin Dervishi.