Statuti

KREU I

EMËRTIMI, FORMA DHE QËLLIMI I VEPRIMTARISË SË SHOQATËS

Neni 1 – Emri, forma e organizimit

a.  Emri i organizatës është “Shoqata Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana” që këtej e tutje referuar shkurtimisht si “SH.B.A. Tirana”.

b. “Shoqata Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana” është organizatë jofitimprurëse, me anëtarësi, e themeluar dhe regjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar, e organizuar në formën e shoqatës dhe ushtron aktivitetin kryesor në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2 – Vula dhe simboli i shoqatës

a. Shoqata ka vulën dhe simbolin (logon) e saj.

b. Paraqitja grafike dhe specifikimet teknike të vulës dhe simbolit të shoqatës, paraqiten në lidhjen bashkëngjitur këtij statuti.

Neni 3 – Selia

Selia e shoqatës është në Tiranë, në adresën: Rr. e Durrësit, Sheshi “Karl Topia” (Zogu i Zi, Qendra e Biznesit “Karl Topia”, Kati II , Tiranë, Shqipëri. (Nr. tel. +355 69 2734978; Nr. tel. +355 68 2046836).

Neni 4 – Kohëzgjatja

Kohëzgjatja e aktivitetit të shoqatës është e pakufizuar në kohë.

Vazhdo leximin

Neni 5 – Qëllimi i veprimtarisë së shoqatës

a.    Argëtimi me karakter sportiv në natyrë kryesisht nëpërmjet ngjitjeve e lehtizave të distancave të ndryshme në male dhe zona malore.

b.    Eksplorimi dhe studimi i lartësive malore brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

c.    Sipas rasteve studim apo asistim në studimin a lartësive malore brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duke grumbulluar fakte dhe duke vëzhguar fenomenet që lidhen me to.

d.    Publikimi  pranë mjediseve mediatike, elektronike apo/edhe të shkruara, i shkrimeve dhe/ose ilustrimeve për veprimtaritë që kryen me synim informimin sportiv dhe/ose shkencor si dhe propagandë sportivo – argëtuese.

e.    Bashkëpunimi me universitete si dhe qendra shkencore për pasurimin e kapitalit të dijeve rreth maleve dhe natyrës si dhe funksionimit të organizmit të anëtarëve të saj pjesëmarrës në veprimtaritë e ndryshme në natyrë.

f.     Nëpërmjet veprimtarive të saj, sugjerimi këshillimi dhe asistenca në politika punësimi pranë zonave malore të Republikës së Shqipërisë.

g.    Pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse vendore, qendrore dhe ndërkombëtare të organizatave të së njëjtës natyrë me këtë Shoqatë.

h.    Shkëmbim informacioni midis anëtarëve të saj si dhe organizatave të ngjashme me të, si dhe nxitjen e bashkëpunimit në lidhje me këtë;

i.     Organizim të takimeve e seminareve që ndikojnë në pasurimin e njohurive të anëtarëve të saj dhe më gjerë lidhur me botën shpirtërore dhe teknike të argëtimeve në natyrë;

KREU II

ANËTARËSIMI NË SHOQATË

Neni 6 – Anëtarësimi në shoqatë

a.    Anëtarësimi në shoqatë është vullnetar.

b.    Anëtarë të shoqatës mund të bëhen të gjithë personat fizikë dhe/ose juridikë vendas dhe/ose të huaj, aktiviteti i të cilëve është në përputhje me qëllimin e veprimtarisë së shoqatës.

c.    Anëtarësimi në shoqatë bëhet nëpërmjet një kërkese me shkrim nënshkruar nga personi fizik ose përfaqësuesi ligjor i personit juridik, drejtuar sekretarit të shoqatës. Kërkesa përmban një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të personit, shprehjen e interesit për tu bërë anëtar i shoqatës dhe nëse është rasti saktëson emrin e personit të autorizuar për të përfaqësuar personin juridik pranë shoqatës, së bashku me dokumentacionin provues dhe ekstraktin nga regjistri tregtar. Në rast se ky saktësim nuk bëhet, prezumohet si përfaqësues, përfaqësuesi ligjor i personit juridik.

d.    Kërkesat për anëtarësim i paraqiten Kryesisë në mbledhjen e radhës. Kryesia mund të kërkojë nëpërmjet sekretarit të shoqatës, informacion shtesë për personin/personat që kërkojnë të anëtarësohen në shoqatë. Vendimi i Kryesisë mbi anëtarësimin e personit fizik dhe/ose juridik, duhet të ratifikohet nga Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të shoqatës në mbledhjen e radhës.

e.    Me miratimin e kërkesës, mbahet shënim në librin e anëtarëve dhe plotësohet certifikata e anëtarësisë së shoqatës. Certifikata nënshkruhet nga Kryetari ose Nën/kryetari i shoqatës,  Sekretari si dhe vuloset. Me Vendim, Kryesia mund të miratojë një format tjetër të Certifikatës dhe si dhe rregulla për pajisjen e anëtarësisë me dokumentet e shoqatës.

f.     Tërheqja e Certifikatës së anëtarësisë dhe nënshkrimi në regjistrin e anëtarëve shënon momentin e fillimit të anëtarësisë në shoqatë.

g.    Anëtarësimi individual do të ndahet në tre kategori si më poshtë vijon:

i)     Kategoria Aktive

ii)   Kategoria e Nderit

iii)  Kategoria Fillestare

Kategorinë Aktive mund të anëtarësohen aplikantët të cilët:

–      Kanë eksperiencë në alpinizëm dhe/ose bjeshkim dhe kanë zhvilluar të paktën 6 (gjashtë) ngjitje alpinistike dhe/ose 6 (gjashtë) veprimtari bjeshkuese;

–      Kanë zhvilluar alpinizëm dhe/ose veprimtari bjeshkuese në rajone të ndryshme të botës; 

–      Kanë dhënë kontribut të shquar për komunitetin e alpinistëve dhe/ose bjeshkatarëve të lidhur me artin, literaturën, shkencën.

–      Kryesia e Shoqatës ka të drejtë që të përcaktojë procedurat për pranimin e kësaj kategorie të  anëtarëve. Anëtarët aktivë duhet të kenë të drejtën e një vote për të gjitha çështjet që paraqiten para anëtarëve aktivë të shoqatës dhe të drejtën e dy votave kur votohet bashkë me anëtarët e rinj (fillestarët) të Shoqatës.

–      Anëtarët aktivë mund të votojnë me prezencën e tyre apo me autorizim në çdo takim të rëndësishëm, mirëpo në takime të veçanta Kryesia e Shoqatës ka të drejtë të kërkojë që ata të jenë të pranishëm për të votuar.

–      Me vendim të Kryesisë, për çështje të caktuara prej saj, anëtarët aktivë, por edhe e gjithë anëtarësia, mund të votojnë edhe elektronikisht apo edhe nëpërmjet votimit postar.

Kategorinë e Nderit mund të anëtarësohen personat të cilët kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të shquar në alpinizëm ose bjeshkim apo në shërbim të alpinizmit ose bjeshkimit duke përfituar titullin Anëtarë Nderi.

–      Anëtari i Nderit përzgjidhet nga votat e shumicës së anëtarëve aktivë të shoqatës si dhe shumicës së Kryesisë së Shoqatës.

–      Anëtarët e Nderit  lirohen nga detyrimet për kuotizacionin, mirëpo ata duhet t’i kenë të drejtat dhe privilegjet sikurse anëtarët aktivë.

–      Anëtari Nderit nuk ka të drejtë  vote apo të drejtë për të shërbyer si Kryetar ose anëtar Kryesie i Shoqatës.

–      Anëtarët aktivë të cilët janë zgjedhur edhe Anëtarë Nderi kanë të gjitha të drejtat dhe privilegjet e anëtarëve aktivë, duke përfshirë të drejtën për t’u zgjedhur Kryetar apo anëtar Kryesie i Shoqatës përveç faktit se ai apo ajo duhet të lirohet nga pagesa e obligimeve të mëtejshme.

Të gjithë anëtarët e rinj të shoqatës, të cilët nuk kanë përvojë të mjaftueshme alpinistike apo bjeshkimi, bëjnë pjesë në kategorinë e Anëtarëve Fillestarë.

–      Kur Anëtarët fillestarë votojnë në prani të anëtarëve aktivë, vota e anëtarëve aktivë konsiderohet e dyfishtë përballë votës së Anëtarëve Fillestarë.

–      Anëtarët fillestarë kanë të drejtën e pjesëmarrjes në të gjitha veprimtaritë që organizon Shoqata dhe në përputhje me kërkesat e përvojës për çdo veprimtari në fjalë, si dhe në përfitime të tjera sikundër edhe anëtarët aktivë të Shoqatës.

h.    Largimi vullnetar nga anëtarësia në shoqatë, mund të bëhet në çdo kohë, me kërkesë me shkrim drejtuar Sekretarit të shoqatës. Ky largim ka efekt nga data e dërgimit të kërkesës.

i.     Përfaqësuesit e anëtarëve, të cilët zgjidhen nga mbledhja e përgjithshme kryetar, nën/kryetar, anëtarë kryesie dhe sekretar, nuk mund të zëvendësohen nga anëtari me një person tjetër.

j.     Largimi apo përjashtimi i anëtarit nga shoqata shkakton edhe largimin e përfaqësuesve të tij të zgjedhur në organet e shoqatës. Në këtë rast zbatohen rregullat mbi vendet vakante.

k.    Anëtarësia nuk mund të tjetërsohet dhe as të trashëgohet ose të kalohet me anë të trashëgimisë.

l.     Anëtarësimi i përhershëm mund të fitohet nga anëtarët përmes pagesës së një shume të caktuar nga Kryesia e Shoqatës, e cila regjistrohet si dhurim për shoqatën.  Kjo shumë do përcaktohet në Rregullore të brendshme dhe mund të ndryshojë me vendim të Kryesisë ose Asamblesë. Kur ndodh ky ndryshim, prej tij nuk preken anëtarët që kanë qenë të shpallur si anëtarë të përhershëm

Statuti i shoqatës nuk diskriminon asnjë person për shkak të gjinisë, racës, fesë, besimit, moshës, orientimit seksual, gjendjes fizike, apo prejardhjes kombëtare.

Neni 7 – Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve

a.    Anëtarët e shoqatës kanë të drejtë të përdorin aftësitë e tyre dhe të kontribuojnë për realizimin e qëllimeve të shoqatës.

b.    Anëtarët e shoqatës kanë të drejtë dhe detyrim të marrin pjesë në vendimmarrjen e saj. Në mënyrë të veçantë ata kanë të drejtë të dëgjohen dhe të marrin informacion nga organet e shoqatës, mbi çdo aspekt të veprimtarisë së saj.

c.    Anëtarët e shoqatës kanë detyrimin të respektojnë këtë statut dhe rregullat e shoqatës.

d.    Anëtari i shoqatës ka të drejtë të votojë nëse të paktën ka mbushur moshën 18 vjeç.

e.    Kur Anëtari fillestar merr pjesë në votim bashkë me anëtarin aktiv dhe/ose anëtarin e nderit vota e këtyre të fundit ka vlerë dyfish kundrejt votës së Anëtarit fillestar.

f.     Anëtarët nën moshën 18 vjeç nuk kanë të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari të ndryshme, në përputhje me moshën dhe aftësitë fizike që kanë, sikundër anëtarët e rritur të kësaj shoqate; kanë të drejtë të marrin pjesë në  mbledhje e diskutime sikundër anëtarët e rritur të Shoqatës.

Neni 8 – Kuotizacioni

a.    Anëtarët e shoqatës, në bazë të kategorisë ku ata bëjnë pjesë paguajnë kuotizacion vjetor, i cili përcaktohet me vendim të kryesisë. Kuotizacioni paguhet brenda datës 31 Janar të çdo viti kalendarik, nëpërmjet kreditimit të llogarisë/ve bankare të shoqatës. Pagesa mund të kryhet e plotë ose e ndarë në këste.

b.    Kryesia e shoqatës, me vendim të arsyetuar, mund të përjashtojë persona të caktuar apo të reduktojë kuotën e tyre të anëtarësisë.

c.    Anëtari që nuk ka paguar kuotizacionin, mund të marrë pjesë si dëgjues në mbledhjen e përgjithshme, por nuk ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet.

e.    Shoqata mund të zhvillojë veprimtari ekonomike me qëllim realizimin e objektivit të veprimtarisë së saj, veprimtari e cila në vetvete nuk do të përbëjë qëllimin primar të veprimtarisë së saj (SH.B.A. Tirana)

Shoqata i siguron fondet e nevojshme për realizimin e qëllimit të saj edhe nëpërmjet pranimit të donacioneve nga donatorë vendas e të huaj, financimeve si dhe nga çdo veprimtari e ligjshme që Shoqata mund të kryejë jo për qëllim fitimi.

Neni 9 – Përfundimi i anëtarësisë

Anëtari i shoqatës mund të përjashtohet për qëndrim dhe sjellje të dëmshme ndaj objektivave dhe qëllimeve të shoqatës, si dhe kur me sjelljen dhe veprimet e tij, pavarësisht se nuk i drejtohen shoqatës ose anëtarëve të saj, ai ka cenuar figurën dhe reputacionin e shoqatës, si dhe kur, pavarësisht paralajmërimit, nuk i përmbahet statutit ose rregullave të shoqatës.

Kryesia vendos përjashtimin e anëtarit me vendim të arsyetuar. Vendimi i Kryesisë pezullon anëtarësinë në shoqatë. Ky vendim duhet të ratifikohet nga Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të shoqatës në mbledhjen e radhës. Në çdo rast, anëtari ndaj të cilit kanë filluar procedurat e përjashtimit, ka të drejtë të dëgjohet.

Përgjegjësia e anëtarit që largohet është e njëjtë me atë të anëtarëve të tjerë të shoqatës për veprimtarinë e kryer deri në çastin e largimit. Anëtari që largohet ose përjashtohet duhet të shlyejë paraprakisht të gjitha detyrimet që ka ndaj shoqatës. Anëtari i shoqatës nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin e kontributeve të paguara financiare të anëtarësisë, në rast se largohet apo përjashtohet nga shoqata përpara mbarimit të vitit financiar. Çdo mosmarrëveshje në këtë drejtim tentohet të zgjidhet me mirëkuptim. Në të kundërt, palët e interesuara mund t’i drejtohen gjykatës.

Pas paralajmërimit mbi vonesën në plotësimin e pagesës për anëtarësi (kuotizacionit), çdo anëtari që ka këtë detyrim i ndërpritet anëtarësimi 30 ditë pas kalimit të afatit.

Anëtari mund të rianëtarësohet përsëri pas pagimit të shumës e cila hyn në fuqi në datën e rianëtarësimit

KREU III

ORGANET DREJTUESE

Neni 10 – Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve

Organi më i lartë vendimmarrës i shoqatës është “Mbledhja e Përgjithshme e Anëtarëve të shoqatës”. Anëtarët e shoqatës do të ftohen të paktën në një takim të rregullt për çdo vit kalendarik (Asambleja e Shoqatës apo Asambleja)  në mënyrë që të diskutojnë shqetësimet e Shoqatës, probleme që ngre koha, veprimtaritë e kryera si dhe ato që mendohen të organizohen në vitin pasardhës. Takimi vjetor mbahet të shtunën e tretë të muajit Dhjetor. Vendi i takimit caktohet nga Kryesia e Shoqatës.

a.    Në mbledhjen e përgjithshme të anëtarëve të shoqatës, kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë anëtarët e shoqatës, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të autorizuar. Në rast se ky autorizim mungon, prezumohet përfaqësues, përfaqësuesi ligjor i anëtarit. Mbledhja vendos rast pas rasti nëse do të jetë e hapur për publikun dhe/ose median.

b.    Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të shoqatës mblidhet me kërkesë të të paktën 1/3 (një të tretës) së anëtarëve të kryesisë së shoqatës, ose me kërkesë të kryetarit, ose me kërkesë të të paktën 1/5 (një të pestës) së anëtarëve të shoqatës.

c.    Lajmërimi i mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të shoqatës, bëhet jo më herët se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e mbledhjes së saj. Në njoftim vendosen edhe pikat e ditura të rendit të ditës. Lajmërimi bëhet nëpërmjet njoftimit me postë rekomande, ose e-mail të anëtarëve, të kryetarit dhe publikimit në faqen e internetit të shoqatës. Në rastin kur mbledhja thërritet nga anëtarët e shoqatës, kërkesa i drejtohen sekretarit i cili realizon njoftimet sipas parashikimeve të këtij neni.

d.    Parregullsia e njoftimeve e bën mbledhjen të pavlefshme.

e.    Në vartësi të qëllimit dhe të mënyrës së mbledhjes ajo mund të jetë e zakonshme dhe e jashtëzakonshme (në këtë rast jo domosdoshmërisht vjetore).

Neni 11 – Kompetencat dhe funksionimi i mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të  shoqatës

a.    Mbledhja e përgjithshme e  anëtarëve të shoqatës, nga radhët e përfaqësuesve të anëtarëve të shoqatës, zgjedh organet drejtuese për një periudhë 4 (katër) vjeçare:

–      Kryesinë e shoqatës;

–      Kryetarin e shoqatës (anëtar ex-officio i kryesisë);

–      Nën/kryetarin e shoqatës (anëtar ex-officio i kryesisë);

–      Sekretarin e shoqatës.

b.    Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve miraton ndryshimet në statut dhe në dokumentet e tjerë të shoqatës. Mbledhja miraton punën dhe cakton detyra për organet e tjera të shoqatës.

c.    Mbledhja e përgjithshme miraton buxhetin dhe shpenzimet e shoqatës dhe shqyrton të gjitha çështjet ekonomike, financiare dhe administrative të saj.

d.    Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të shoqatës vendos për të gjitha çështjet që ky statut nuk ja njeh në mënyrë të shprehur organeve të tjera të shoqatës.

e.    Si rregull, mbledhjet drejtohen nga kryetari i shoqatës. Megjithatë, në rastin kur zgjidhet kryetari i shoqatës, kryetari në detyrë i shoqatës nuk mund të drejtojë mbledhjen. Në këtë rast, nga radhët e saj, mbledhja e përgjithshme zgjedh drejtuesin e mbledhjes. Në rast se shihet e nevojshme, mbledhja zgjedh një sekretariat që kryesohet nga sekretari i shoqatës. Drejtuesi dhe sekretariati janë përgjegjës respektivisht për drejtimin e mbledhjes, verifikimin e pjesëmarrjes, mbajtjes së dokumentacionit të mbledhjes dhe veprime të tjera që mund të jenë të nevojshme.

f.     Vendimet zbardhen nga sekretari i shoqatës dhe nënshkruhen nga drejtuesi i mbledhjes, sekretari dhe kryetari i shoqatës, në rastin kur ky i fundit është i ndryshëm nga drejtuesi i mbledhjes. Vendimet mbajnë vulën e shoqatës dhe regjistrohen në librin e vendimeve të shoqatës.

g.    Vendimet, me përjashtim të atyre për të cilat ky statut kërkon një shumicë të cilësuar, quhen të marra me shumicën e thjeshtë të të gjithë anëtarëve pjesëmarrës dhe kur këta përbëjnë të paktën 50 % (përqind) të anëtarëve të Shoqatës.

h.    Me kërkesë të të paktën 1/3 (një të tretës) së pjesëmarrësve, votimi bëhet detyrimisht i fshehtë.

i.     Dokumentacioni i mbledhjes ruhet në fondin dokumentar të shoqatës, ndërsa fletët e votimit, nëse ka të tilla, ruhen deri në përfundimin e punimeve të mbledhjes tjetër të përgjithshme, por në çdo rast, jo më pak se 6 muaj. Me kërkesë të të paktën 1/3 së anëtarëve, ky afat zgjatet për 6 muaj të tjerë.

j.     Mbledhja e Përgjithshme ka të drejtë të vendosë për shpërndarjen apo shkrirjen e shoqatës dhe ka të drejtë të caktojë likuidatorin për zhvillimin e procedurës për likuidimin e shoqatës.

Neni 12 – Kryesia e shoqatës

a.    Shoqata drejtohet dhe administrohet nga një kryesi e përbërë nga 5 (pesë) anëtarë. Kryesia ka funksione ekzekutive.

b.    Anëtarët e kryesisë zgjidhen për një periudhë 4 (katër) vjeçare. Anëtarët e kryesisë mund të rizgjidhen.

Neni 13 – Kompetencat e kryesisë së shoqatës

a.    Kryesia e shoqatës është organi përgjegjës për konceptimin, organizimin, realizimin e kontrollin e veprimtarive në përmbushje të qëllimit të shoqatës.

b.    Kryesia përgatit akte rregulluese të jetës së brendshme të shoqatës, dokumente me karakter programor dhe dokumente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e shoqatës me organizata simotra. Këto akte hyjnë në fuqi me miratimin e tyre nga Mbledhja e Përgjithshme e anëtarëve të shoqatës.

c.    Kryesia cakton një Financier dhe vendos për të punësuar të tjerë pranë shoqatës. Financieri mund të jetë edhe anëtar Kryesie por në këtë rast nuk mund të jetë as Kryetari dhe as Sekretari i saj.

d.    Kryesia ka të drejtë të krijojë komisione brenda Shoqatës të cilat merren me probleme të caktuara të lidhura me interesat e anëtarëve të saj. Në këtë rast për çdo komision përpilohet një rregullore e cila pasqyron qëllimin dhe funksionimin e tij.

e.    Kryesia shqyrton dhe miraton raportet financiare si dhe vendos për buxhetin. Ky aspekt i veprimtarisë së Kryesisë së shoqatës i raportohet mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të shoqatës si dhe mund të kërkojë miratimin paraprak të saj, me kërkesën e të paktën 4 (katër) anëtarëve të Kryesisë.

f.     Kryesia miraton projektet që i paraqiten si dhe ngarkon anëtarë të shoqatës ose persona të jashtëm të specializuar për implementimin e tyre.

g.    Kryesia miraton formatin e shkresave të shoqatës.

h.    Në rastet kur për shkak të kohës është e nevojshme lidhja e marrëveshjeve apo miratimi i akteve të caktuara, këto mund të miratohen në parim nga kryesia duke lënë ratifikimin e tyre për në mbledhjen e përgjithshme të radhës. Këto akte humbasin fuqinë e tyre që prej fillimit në rast se mbledhja e përgjithshme e anëtarëve nuk i ratifikon ato.

Neni 14 – Rregullat e funksionimit të kryesisë së shoqatës

a.    Kryesia mblidhet si rregull jo më rrallë se 1 (një) herë në muaj. Pavarësisht kësaj, ajo mblidhet detyrimisht kur thërritet nga Kryetari ose të paktën 3 (tre) prej anëtarëve.

b.    Njoftimet për mbledhjen, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme, bëhen të paktën 5 (pesë) ditë përpara mbajtjes së saj.

c.    Mbledhja e Kryesisë zhvillohet si rregull në selinë e shoqatës.

d.    Anëtarët e shoqatës kanë të drejtë të ndjekin mbledhjen e kryesisë. Pjesëmarrja e personave të tjerë jo anëtarë dhe medias vendoset nga kryesia përpara fillimit të mbledhjes.

e.    Materiali i mbledhjes përgatitet si rregull nga thirrësi i saj.

f.     Mbledhjet janë të vlefshme kur në to marrin pjesë të paktën 3/5 e  anëtarëve. Në rast se nuk arrihet kuorumi mbledhja shtyhet ditën e nesërme në të njëjtën orë. Në rast se nuk arrihet kuorumi mbledhja duhet të mbahet brenda 5 (pesë) ditëve të ardhshme të punës. Në rast se dhe kjo mbledhje dështon, Kryesia dhe Kryetari quhen të shkarkuar dhe thërritet Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve.

g.    Me mbarimin e mandatit të Kryesisë dhe Kryetarit, deri në mbledhjen e ardhshme të përgjithshme dhe zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të shoqatës, Kryesia, Kryetari i shoqatës, Nën/kryetari, Sekretari dhe organe të tjera ad hoc qëndrojnë në detyrë dhe kryejnë veprime që kanë lidhje me veprimtarinë e përditshme të shoqatës. Këto veprime duhet të miratohen nga Kryesia e re e shoqatës në mbledhjen e saj të parë.

h.    Kur një anëtar i saj dorëhiqet, vendi i tij plotësohet nga anëtari i Shoqatës që ishte në listën e kandidaturave për zgjedhjen e Kryesisë me më shumë vota.

i.     Çdo anëtar Kryesie ka të drejtën e një vote. Vendimet e saj janë të vlefshme në qoftë se tre anëtarë të saj (nga pesë anëtarë që ka) janë të pranishëm. Në rast numri votash të barabarta në Kryesi, vota e Kryetarit është vendimtare.

j.     Vendet bosh zëvendësohen në mbledhjen më të afërt të përgjithshme të anëtarëve të shoqatës.

k.    Konsiderohet vend vakant, përveç parashikimeve të nenit 6 edhe rasti kur anëtari i kryesisë, përfaqësues i personit juridik anëtar të shoqatës, jep dorëheqjen, bëhet i pazoti për të vepruar, dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre të rëndë penale, vdes apo mungon  pa arsye në më shumë se 6 mbledhje të kryesisë.

Neni 15 – Kryetari i shoqatës

Kryetari i Shoqatës zgjidhet nga Asambleja e saj çdo katër vjet mbi bazën e një konkurimi me të paktën dy kandidatë. Ai zgjidhet para se të zgjidhet Kryesia e re e Shoqatës. Një kryetar nuk mund të zgjidhet në më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme. Votimi bëhet i fshehtë dhe shpallet fitues kandidati që fiton 50 % + 1 të votave të të pranishmëve. Kur në turin e parë nuk e arrin këtë përqindje asnjë kandidat, atëherë organizohet turi i dytë ku do të kandidojnë vendi i parë dhe i dytë. Kandidatët për Kryetar mund të propozohen prej çdo anëtari me të drejtë vote.

Kryetari përfaqëson shoqatën në raport me të tretët. Kryetari nënshkruan akte në emër të shoqatës si dhe është firma e njohur e bankës për veprimet bankare të shoqatës.

c.    Kryetari drejton mbledhjet e kryesisë. Ai është përgjegjës për administrimin dhe organizimin e veprimtarisë së përditshme të shoqatës.

d.    Kryetari i Shoqatës nuk duhet të jetë nën moshën 30 vjeç, si dhe duhet të ketë kryer studimet universitare e të zotërojë të paktën gjuhën angleze, dhe nuk mund të zgjidhet  një kandidat prej anëtarëve fillestarë të shoqatës.

e.    Kryetari mund të autorizojë me shkrim ose elektronikisht (në përputhje me kërkesat e legjislacionit që rregullon Nënshkrimit elektronik, në të kundërt çdo nënshkrim duhet të konfirmohet me shkrim brenda 48 orësh)  persona të tjerë duke iu deleguar atyre të drejtën për të vepruar në emër e për llogari të tij dhe në emër e për llogari të Shoqatës.

g.    Dispozitat për vendin vakant të anëtarit të kryesisë, zbatohen edhe për kryetarin. Në këtë rast thërritet mbledhja e përgjithshme e anëtarëve, e cila zgjedh kryetarin, kryesinë dhe organet e tjera drejtuese të shoqatës.

h.    Nën/kryetari i shoqatës ka mandatin e Kryetari. Nën/kryetari zëvendëson Kryetarin kur ky i fundit nuk është prezent.

Kur vendi i Kryetarit mbetet i lirë, për çfarëdolloj arsye, apo kur ai jep dorëheqjen, zëvendësimi i tij bëhet përkohësisht nga Nën/kryetari ose nga një anëtar i Kryesisë. Ky Kryetar i përkohshëm zgjidhet nëpërmjet votimit në një mbledhje Kryesie ku thirren edhe tre anëtarët më të moshuar të Shoqatës dhe Kryetari i ri vendoset me shumicë votash.  Në mbledhjen më të afërt, Asambleja zgjedh Kryetarin e përhershëm për kohën e mbetur deri në përfundimin e mandatit ekzistues katër vjeçar.

Neni 16 – Sekretari i shoqatës

a.    Sekretar zgjidhet një nga anëtarët e Kryesisë së sapo zgjedhur në mbledhjen e parë të saj.

b.    Sekretari duhet të ketë edukim universitar dhe të zotërojë gjuhën angleze dhe nuk mund të jetë anëtar fillestar.

c.    Sekretari organizon dhe koordinon veprimtarinë e Shoqatës  dhe bashkëpunon me shoqata dhe organizata të tjera shtetërore e jo shtetërore, gjithashtu funksioni i tij lidhet me çështjet juridike të Shoqatës që kanë të bëjnë me statutin dhe rregulloren e saj dhe punon në bazë të kërkesave të Kryetarit si dhe të Kryesisë

d.    Sekretari mban dokumentacionin e shoqatës. Ai është përgjegjës, veçanërisht për njoftimet, kuotizacionet dhe çështjet e anëtarësimit në shoqatë.

e.    Lidhur më çështjet e specifikuara në këtë nen, sekretari përgatit raport kur i kërkohet nga kryesia si dhe përpara mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të shoqatës.

f.     Sekretari ushtron kompetencat dhe realizon detyrat në përputhje me këtë statut, rregullat e shoqatës dhe detyrat e lëna nga Kryesia. Sekretari në rast zëvendësimi nga mbledhja e përgjithshme apo dorëheqjeje qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e sekretarit të ri dhe i kalon atij detyrën në  mbledhjen e parë të kryesisë.

KREU IV

RREGULLA MBI FINANCIMIN DHE ADMINISTRIMIN E PASURISË SË SHOQATËS

Neni 17 – Burimet financiare të shoqatës

a.    Shoqata, për realizimin e qëllimeve dhe veprimtarive të veta, si dhe për funksionimin e saj financohet nga:

–      Kuotizacionet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të anëtarëve të shoqatës.

–      Fonde, grande, donacione, pasuri të lëna me testament, të dhëna nga persona juridikë apo fizikë, vendas apo të huaj.

–      Të ardhura që mund të krijohen nga veprimtari me karakter ekonomik.

–      Të ardhura që mund të krijohen nga pjesëmarrja në projekte të ndryshme.

b.    Shoqata mund të zhvillojë veprimtari për mbledhjen e fondeve, si aktivitete të ndryshme, fushata për grumbullimin e fondeve, për t’i përdorur më pas vetëm për përmbushjen e qëllimeve të veta.

c.    Pranimi i fondeve, grandeve donacioneve në para ose pajisje, bëhet me miratimin e Kryesisë së shoqatës.

d.    Kontributet (dhurimet) e anëtarëve të Shoqatës përtej kuotizacioneve që kërkon anëtarësimi shkojnë në një fond të veçantë të shoqatës i cili do të emërtohet “Thesari i Shoqatës”. Thesari i Shoqatës do të preket një herë në vit duke filluar nga viti 2015 dhe prej tij do të përdoret për veprimtari të Shoqatës përfitimi vjetor i interesit.

Neni 18 – Administrimi dhe kontrolli i financimeve

a.    Nuk lejohet asnjë formë e ndarjes së të ardhurave, fitimit, të mirave të tjera materiale për anëtarët e shoqatës, persona të tjerë apo për shpenzime jashtë qëllimit të veprimtarisë së shoqatës. Bëhet përjashtim për detyrimet në formën e pagave, pagesave, shpërblimeve dhe kompensimeve që rrjedhin nga kontrata e punës ose kontrata të tjera të ngjashme me të ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të shoqatës.

b.    Personeli administrativ paguhet për punën e kryer sipas dispozitave të kodit të punës dhe në përputhje me mundësitë financiare të shoqatës.

c.    Anëtarëve të shoqatës dhe personave të tjerë, iu paguhen të gjitha shpenzimet që kanë bërë për përmbushjen e detyrave të ngarkuara në funksion të arritjes së qëllimeve dhe realizimin e veprimtarive të shoqatës.

d.    Për pjesëmarrjen në mbledhjet e kryesisë mund të caktohet një shpërblim i cili kompenson kohën e pjesëmarrjes. Ky shpërblim caktohet nga mbledhja e përgjithshme e anëtarëve me propozim të kryetarit të shoqatës.

e.    Administrimi i pasurive dhe të ardhurave të shoqatës, bëhet me vendim të kryesisë së shoqatës.

f.     Financieri i shoqatës, mban evidencë për arkën e shoqatës, të ardhurat dhe shpenzimet, si dhe inventarin e  pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të shoqatës.

g.    Kryesia mund të caktojë një këshill auditimi i cili kontrollon dhe/ose asiston Financierin dhe Sekretarin e shoqatës si dhe mund të zhvillojë hetim mbi të ardhurat dhe veprimtarinë e shoqatës.

KREU V

NDRYSHIMI I STATUTIT, TRANSFORMIMI DHE SHPËRNDARJA

Neni 19 – Ndryshimi i statutit

a.    Ndryshimet në këtë statut bëhen vetëm me vendim të mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve, me shumicë të cilësuar, prej 3/5 (tre të pestat) e të gjithë anëtarëve të shoqatës.

b.    Mbledhja që ka për rend dite ndryshimin e statutit, zhvillohet detyrimisht në prani të një noteri publik, i cili vërteton procesverbalin.

Neni 20 – Transformimi dhe bashkimi

a.    Shoqata mund të transformohet në një formë tjetër organizimi apo të bashkohet në një person juridik të ri, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve, me shumicë të cilësuar, prej 3/5 (tre të pestat) e të gjithë anëtarëve të shoqatës.

b.    Kjo mbledhje zhvillohet në prani të një noteri publik i cili vërteton procesverbalin.

Neni 21 – Shpërndarja e shoqatës

a.    Përveç rasteve të parashikuara në ligj, shpërndarja e shoqatës bëhet me vendim të mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve të shoqatës, më shumicë të cilësuar prej 3/5 (tre të pestat) e të gjithë anëtarëve të shoqatës. Kjo mbledhje zhvillohet detyrimisht në prani të një noteri publik i cili vërteton procesverbalin.

b.    Mbledhja e përgjithshme cakton një ose më shumë likuidatorë.

c.    Mbledhja e përgjithshme e anëtarëve thërritet sërish nga likuidatori/likuidatorët për të miratuar raportin e likuidimit dhe destinimin e pasurisë.

d.    Pasuritë e mbetura pas pagimit të detyrimeve ju dhurohen organizatave të tjera jofitimprurëse ose një institucioni arsimor ose kulturor publik.

e.    Vendimet merren me shumicë të thjeshtë të të gjithë anëtarëve. Edhe kjo mbledhje zhvillohet detyrimisht në prani të një noteri publik, i cili vërteton procesverbalin.

f.     Fondi dokumentar i shoqatës ruhet nga Kryetari i fundit i shoqatës për të paktën pesë vite nga vendimi për çregjistrimin e shoqatës.

g.    Në rast të transformimit apo bashkimit, fondi dokumentar i kalon organizatës sukseduese.

 KREU VI

DISPOZITA TRANZITORE-ORGANET E PARA TË SHOQATËS

 Neni 22 – Kryesia

Anëtarët e parë të kryesisë janë:

  • Aleksandër Bojaxhi, shtetas shqiptar;
  • Ilirjan Celibashi, shtetas shqiptar;
  • Dorina Mosku, shtetase shqiptare;
  • Erlin Rudho, shtetas shqiptar;
  • Gerti Pishtari, shtetas shqiptar;

Neni 23 – Kryetari

  • Kryetari i parë i shoqatës është z. Aleksandër Bojaxhi, shtetas shqiptar;

Neni 24 – Nën/Kryetari

  • Nën/kryetari i parë i shoqatës është z. Ilirjan Celibashi, shtetas shqiptar;

Neni 25 – Sekretari

  • Sekretari i parë i shoqatës është zj. Dorina Mosku, shtetase shqiptare;

Neni 26 – Hyrja në fuqi

Ky statut hyn në fuqi dhe afatet fillojnë të ecin nga regjistrimi i organizatës në gjykatë.

Anëtarët Themelues

  • Aleksandër Bojaxhi
  • Gjergji Bojaxhi
  • Iglin Shyti
  • Erlin Rudho
  • Gerti Pishtari
  • Fation Plaku
  • Dorina Mosku
  • Lavdosh Celibashi