Ditarë

DITARË

Seria e ditarëve që hapet në këtë portal synon që, për brezin e ri, duke i lexuar ato, të krijohet një ide se si zhvilloheshin veprimtaritë alpinistike të organizuara nga Federata Shqiptare e Alpinizmit në vitet kur ditarët janë mbajtur. Por synohet edhe më shumë se kaq: nëpërmjet leximit të tyre mësohen edhe mjaft elementë të jetës sociale, ekonomike dhe më gjërë të asaj kohe. Ato fjalë apo rrjeshta që janë me gërma italike, nuk janë në ditaret e mbajtura. Ato janë shtuar për t’i bërë fjalitë më të qarta. Aleksandër Bojaxhi

VITI 1975

Veprimtaria: Bogë – Q. Pejë – Jezerë ana veriore

Jemi 31 pjesëmarrës që përfaqësojmë nëntë klube të ndryshme.

6 shkurt

U ngritëm mbas orës 06:00, në hotel Adriatik – Shkodër. Kam një dhimbje të fortë koke dhe më vjen për të vjellë. Shëtis pak, hamë mëngjes e pimë kafe. Më pas shkojmë në hotel për të marrë çantat. Ja ngarkojmë ato, për një lek, një karoce për deri tek axhensia. Aty u vonuam shumë, por më në fund në ora 10:30 u nisëm. Ndalëm pak në Koplik ku na arriti ekipi i Shkodrës. U vonuam sepse sot morrëm aprovim për Qemal Biçakun nga Andoni (me sa duket Andon Tapia dhe Qemal Biçaku do kishin diçka të pa zgjidhur). Ora 12:45 jemi në Bogë. Gjeka (në shtëpinë e të cilit alpinistat janë strehuar shpesh) ka ndërruar jetë. Ora 13:20 nisemi nga Boga. Bëjmë pushime të shpeshta dhe në ora 17:15 jemi në lugun për në Gropën e Radohinës, në krah të Gropës së Portës. (para daljes në pikën e kalimit të Shtegut të Dhenve – ndryshe Gropa e Portës – janë disa livadhe që me fjalën e përgjithëshme njihen si Gropa). Deri këtu shumë mirë. Bëjmë edhe zjarr. Unë fillova eksperimentin: ha biskota (fillova me 4 biskota, të pakove 10 lekëshe të kohës, për çdo ushqim/vakt në vend të bukës).

7 shkurt

Llazi i Lushnjës, dje që në pushimin e dytë, na la shëndenë (u tërhoq nga veprimtaria). Sot u zgjuam herët por u nisëm më ora 07:45. Rrugën e bëmë ngadalë, me pushime të shpeshta e pothuajse të gjata. Diku mata pulsin pas një të përpjete të fortë: 139. Mbas 10 minutave arriti 108. Udhëtimin e ndërpremë më ora 14:10 në rëzë të qafës së Radohinës. Vendosëm të ngremë kampin sepse në përgjithësi njerëzit ndjehen të lodhur. Gjetëm pak ujë nëpër shkëmbej. Çadrën e ngritëm me diell. Jemi rregulluar mirë dhe pushojmë. Për nesër kemi rënë dakort të nisemi më ora 05:30 – 06:00. Rregjimi i ushqimit me biskota shkon shumë mirë. Ndjehem në formë dhe uria nuk më merr. Ushqehem me gjëra të ëmbla gjatë rrugës. Pulsi 100.

8 shkurt

Tek e fundit më ora 06:45 u nisëm. Taxhi me të tijët u nis pak përpara. Ngjitjen e bëmë të siguruar me litarë. Unë qesh i treti me Marjon e Shilin (Vasil Stambuli). Grupi i Taxhit nuk kishte kthetra dhe vuajti shumë. Arritëm në majë pas një ore. Fotografuam dhe u ulëm. Marjon e ulëm për hapjen e strehës (!). Nga ora 09:00 arritëm tek çadrat. Taxhi nisi për në majë tre alpinitë (të ekipit të tij) që nuk kishin doreza (pasi i pajisi me dorezat e atyre që kishin). Ne u ngjitëm 11 vetë: Unë Mario, Shili, Pëllumbi, Shefkiu, Arjani, Taxhi, Rushiti, Hasani, Vironi dhe Qemali.

E lamë nisjen (për më tej) më ora 10:00. Ata që u kthyen (nga ngjitja për në majë) u nisën më parë. Qazim Liço dhe Kujtim Onuzi u kthyen se ishin sëmurë (u nisën për në Bogë). Qazimit i morra kazmën dhe i dhashë baterinë (elektrikun e dorës). Qafën në Radohinë (Qafën e Radohinës) e kaluam të siguruar. Pastaj nuk vazhduam rrugën e zakonëshme por pak majtas. Një grup morri më majtas. Rrugës koha u prish. Zuri pak borë, u kthjellua por filloi një tufan i fortë, shumë i fortë. Sidomos në zonën e Qafë Pejës tufani ishte i tmerrshëm. Besoj se nuk ka njeri nga ne që të mos e ketë rrëzuar era disa herë. U futëm në postën (kufitare) verore të mbuluar me borë deri në strehë. Në fjetore u sistemuam të gjithë. Shili e Qemal Biçaku erdhën të fundit, të dërmuar (fizikisht). Qemali me këmbë të ngrira. Më keq ishte Arqileja. I bëmë, me Shefkiun, një shërbim të fortë dhe e mbuluam me batanije. Fërkuam nga këmbët Qemalin, Pëllumbin, Adilin, Hasanin, etj. Toil ka keq duart për faj të tij se punoi pa doreza jashtë e (në strhim/postë) i futi në zjarr për t’i ngrohur. Shumë të tjerë i fërkuam apo u bëmë masazh. Deri tani ndjehem mirë. Për çudi mirë. Këmba (me kruciat të këputur) nga fundi bëri pak naze.

Tufani qe i jashtëzakonëshëm (1968) (të kujton janarin e vitit 1968) dhe pa postën (godinën e postës kufitare verore ku u futëm) nuk i dihej fatit tonë për ngrirjet. Tërë koha jonë (3 orë) po kalon me shkrirje bore për ujë. Njerëzit tani janë shtrirë dhe na mbetet të flejmë. Ndjehet lodhje.

9 shkurt

U ngritëm rreth orës 06:00 por dhoma është e errët (dritaret janë të mbuluara nga bora). Rimë shtrirë. Mbas orës 08:00 ngrihem i pari dhe dal jashtë. Koha është e mrekullueshme. Fryn një erë e lehtë dhe është ftohtë. Pastaj fillojnë e dalin të tjerë. Vasili hap, pastron, një dritare nga bora dhe fillon të hyjë dritë në fjetore. Më vonë u hap edhe dritarja tjetër. Dhoma u gjallërua mirë. Filloi ngrënia, shkrirja e borës, lojrat me letra, shakatë. Mbas orës 10:00 vjen Muharremi (komandanti i postës kufitare) me 30 a më shumë fashatrë e ushtarë. Në fillim u trëmbëm se mos na flisnin (bënin fjalë) që kishim hyrë brënda në postën kufitare. Porse jo! Ata u gëzuan (që ne kishim hyrë). Ishin të alarmuar për fatin tonë dhe këtë e kishin përcjellë edhe në Tiranë.

Mbrëmë ne diskutuam gjatë para se të flinim për tre persona që kalonin (hamëndje) nga Vukli në Theth nëpërmjet rrethit të Vizhnjës. Diskutuam me ata 3-4 alpinistë që thonin se i kishin parë. Shumica thonin se “u kishin bërë sytë”. Por ata ngulnin këmbë. Tek e fundit ne (shumica) hamendësuam se do ishin alpinistë të ardhur nga Jugosllavia, e më pak mundësi, fshatarë

Porse ata tre fshatarë nuk kishin mundur të përcaktojnë mirë numurin tonë dhe gjendjen tonë. Këtë (hamëndjen e tyre) ata ja njoftuan ushtarëve të postës kufitare të cilët dinin rreth të qënit tonë në ato anë. Muharremi kishte njoftuar për tufanin dhe rrezikun e jetës sonë po të rrinim jashtë. (Në axhensinë e autobuzave në Shkodër ne patëm takuar një të njohur, banore në Theth, dhe i kishim folur për gjithshka lidhur me veprintarinë që po ndërmerrnim. Dhe i lamë porosi që informacionin t’ja përcillte për dijeni edhe Muharrem Lleshit, komandantit të postës kufitare Theth).

Ai erdhi aty (edhe Asllani) për të parë në vend gjendjen tonë. U futën brënda (nga dritarja) e kërciti biseda. Verifikuan gjendjen: Arqileja ishte mirë, Toli kishte vetëm dy fllucka të vogla tek gishti i vogël, Taxhi flluska të mëdha, Hasan Temali gishtat e këmbës keq. Po ashtu Qemal Zagonjari (por më pak). Keq e kishte këmbën edhe Adil Manga. I ftuan këta shokë që të kthehen, por nuk pranuan. Atëhere Muharremi nisi për Theth dy fshatarë për të lajmëruar se ne jemi mirë. Ai kish rënë dakort, kur u nisën nga Thethi, me kufirin dhe fshatin për dy sinjale: a. kërkojmë forca të tjera dhe b. të niset helikopteri. (rezultoi se as duheshin forca të tjera dhe as duhej helikopteri. Të dy këto sinjale do të jepeshin me të shtëna automatiku dhe kështu mbeti/duhej që të niseshin fshatarët për të skjaruar gojarisht situatën).

Nga ora 11:00 të ardhurit nga Thethi dolën (nga godina e postës) për tu larguar. Ndërkohë vjen një helikopter. Erdhi shumë herë rrotull, bëmë shënja, por nuk u ul. Pasi bëmë shumë fotografi ata ikën. Pastaj erdhi rrotull tjetër (sipas nesh) helikopter.

U muarrëm me gatime, sistemime, tharje, etj. Nga ora 16:00 dhamë urdhër (Shili e unë ishim drejtues të veprimtarisë) për tu përgatitur për ngjitje për nesër në Prozhëm e Langoj. Gjallëria e lëvizja u shtuan. Pas 20 min na erdhën Andoni e Minella! U habitëm. U përqafuam, hymë brënda e filloi biseda. Po atë ditë ora 01:00 (natën) Kiço Negovani kishte telefonuar Kozmanë. Lajmi ishte përhapur nëpër institucione të ushtrisë, pushtetit, Komitetit Qëndror të Partisë, etj., etj. Ishin interesuar edhe Xhaferr Spahiu, Mehmet Shehu, Shefi i Shtabit të Ushtrisë, etj., etj., deri tek Enver Hoxha.(!)

Minella, Andoni e Kozmai u ulën me helikopter në Theth, ku Kozmai mbeti për ndërlidhje.

Shokët e ardhur u informuan për gjendjen tonë, na përgëzuan dhe na thanë se edhe ata, me sa munden, do mbështesin veprimtarinë tonë.

Tek vinin për tek ne shoqëroheshin nga Nikolla i Lulashit (djali i Lulash Vërrisë nga Thethi, Nikolla, ishte instruktori i qenit të kufirit) dhe një ushtar. Mirëpo në Qafë Pejë ata panë se po vinin nga poshtë dy njerëz; qëndruan dhe zunë pritë. Kishin qenë Qazimi (Liço) me Kërnelin. Ne dërguam Vironin e Qemal Biçakun për të lajmëruar Nikollën se shokët arritën e janë mirë. Mirëpo këta të dy u kthyen bashkë me Qazimin dhe Kërnelin me dy letra nga Kozmai: një për mua e Shilin e një për Minellën. Urdhërohej që kategorikisht të ktheheshim (në letrën ë Minellës thuhej që ky ishte urdhër i Mehmet Shehut).

Shili mblodhi shtabin e diskutuam se çfarë të bëjmë. Vendosëm të kthehemi në Theth me një pararojë me një telegram drejtuar Xh. Spahiut (ai kish porositur Minellën për skjarimin tonë) ku tregohej gjendja jonë dhe kërkesa për të vazhduar.

Kur vajtëm (shtabi) tek shokët, Qazimi na thotë se sot duhet të jemi në Theth se na presin makinat në Bogë. Të hënën gjallë a vdekur duhet të jemi në Tiranë.

Atëherë u dha urdhër që më 22:00 të nisemi për në Theth.

10 shkurt

Ora 03:30 arrimë të futemi në godinën e kampit të Thethit pasi zgjuam nga gjumi Nuen (thethjan, drejtor i kampit) i cili nuk e priste që të udhëtonim natën. Na dha batanije dhe ja futëm gjumë.deri ora 08:00.

Në mëngjes koha qe një mrekulli. U përgatitëm dhe më 10:30 u nisëm për Bogë pas një ceremonie të shkurtër. Nga ora 16:00 arritëm. Në Fushë të Okolit na prisnin dy gaze 3 diferencialësh që na transportuan për në Bogë. Aty na priste autobuzi (e sigurisht gjumi) që na çoj në Shkodër ku hëngrëm darkë. Sa më shumë ulemi drejt Tiranës aq më shumë merret vesh paniku i krijuar me një “kontorno” fantazie të çuditëshme. Ora 20:10 nisemi për Tiranë ku arrijmë në ora 23:00.

11 shkurt

Ora 08:00 jemi tek ministri Thoma Deljana. Ora 10:45 dalim nga kabineti i tij. U diskutua gjërë puna jonë dhe e sportit tonë. Ne s’kemi faj por përderisa shteti do të zhvillojë këtë sport dhe subvecionon ai, duhet që të plotësojë të gjitha konditat për këtë sport duke koordinuar edhe veprimet me ushtrinë.

Pas kësaj më ngarkuan të bëj një shkrim në “Zëri i Popullit” të cilin e çova më 15:20. Për pasnesër duhet të vete tek Ahmet Shqari (ish komentator sportive i RTVSH) për bisedë. Shili i dha informacion televizorit. Po zjen bota!

Për të justifikuar dietat nesër nisemi për në malin e Dajtit me një program të caktuar.

Veprimtaria: Qafë Pejë, 20 deri 29 gusht

20 gusht

Dje ora 08:00 u nisëm nga Shkodra me një autobus më vehte. Shofer është Tonini. Erdhëm shtruar: ndalëm në Koplik, Bogë e Qafë Thore. Ora 12:00 ishim në kamp (tek kampi i puntorëve – Theth). Takuam Lulashin (Lulash Marku apo Vërria, banor i Thethit, mik i alpinistëve, eveçanërisht i Kozma Grillos). Në postën kufitare nuk ishte asnjë nga drejtuesit e njohur. Në kampin e punëtorëve vetëm Luljeta (banore tek Kroni i Micanëve; punonte si kamarjere në mencën e kampit të punëtorëve). Për të siguruar kafshë pët transport u ulën në fshat, në qendër.

Ramë në ujdi për 7 kafshë për dt. 20 ora 07:00. Mbasditen, e pothuajse darkën, e kaluam me Lulashin në klub e në çadër. Më mundi 2:1 në xing. Ora 17:00 bëmë një mbledhje për programin tonë. Është tendenca që në çdo mbledhje të ngrihen probleme kardinale të alpinizmit.

Marrin pjesë: Partizani 5 vetë, 17 Nëntori 4 vetë, Korabi 3 vetë, Flamurtari 2 vetë, Skëndërbeu 2 vetë, Vllaznia e Valbiona nga një.

Natën e kaluam në një livadh të vogël (vend ku u ngritën tendat) pranë dyqanit të Zonjës.

Sot u ngritëm rreth orës 06:30. Koha është më e keqe se dje. Shili është komandant në kohë të keqe!

Më 11:00 u nisëm me mushkat të ngarkuara pasi u sorollatëm, por edhe blemë, në dyqane. Na u bënë 9 mushka (në fakt 8 sepse 1 ishte gomar). Rrugën e marrim me shumë nge duke bërë fjalë hera-herës me djalin e Kolë Prekës (Kola njihej si kafshar i fshatit e banonte në lagjen Okol). Ora 16:00 arrijmë në bazë. Koha mjaft e ftohtë dhe fryn erë. Bëra supë brënda në çadër dhe sapo piva kafe. Nëpër çadra është qetësi. Vetëm në çadrën e Marjos e Dashit luhet me letra (Taxhi, Gëzimi) dhe ka fjalë. Shili sapo më solli të fala nga Muharremi (komandanti i postës kufitare). Nuk i rrihet pa vajtur (tek shefat e kufirit) megjithëse dridhet si qeni nga të ftohtit.

21 gusht

Natën kam mbërdhirë. Frynte erë e fortë dhe fletët e çadrës bënin potere. Zuri shi që vazhdoi edhe në mëngjes. Është përsëri ftohtë. Rimë në çadra. Nga ora 13:00 koha diçka u hap. Vajta për ujë dhe në Postë takova Muharremin, Nikollën dhe ushtarët ngase më thirrën kur u largova nga burimi. Më ora 16:00 erdhi ekipi i Beratit: Petraq Kule, Vangjel Mëlëngu, Vullnet Zylyftari, Jani Qendro, Vlash Koxhaku (stomatolog, djalë mjaft i mirë).

Pyeta sot Shilin për aktivitetin e tij (atëherë mblidhja material për historinë e alpinizmit duke biseduar me të gjithë ata që i kishin hyrë këtij sporti para meje). Në mbrëmje erdhi në çadër Vangjeli e Shili dhe folëm për problemet e alpinizmit. I vënë faj Andonit (Tapisë). Unë nuk diskutoj për fajet e tij, porse ngul këmbë që problemet ngecin në kuadro (drejtues të lëvizjes fiskulturore) si A.T. dhe D. L. Gjithashtu mundohem të bind se nga komisioni teknik nuk duhet pritur aq sa kërkohet pasi ai nuk ka të drejtë për të vendosur. Duhet ngulur këmbë më shumë në përbërjen e kryesisë.

Kam ngrënë bukë e dëgjojmë muzikë. Koha është e ftohtë.

22 gusht

Mëngjes i ftohtë dhe me mjegull. U ngritëm në ora 06:00. U sorollatëm me gjimnastikë, etj. Ora 08:30 u rrjeshtuam e pas ceremonisë “Stambul –iane” u nisëm për ngjitje. Punuam pranë me treshen e Berartit. Unë, Mario, Dashi u futëm në një lug të Malsores, në jug. Shumë e thjeshtë por sipër doli një tavan mjaft i bukur. Tavanin e vlerësuam të pestë. Mbasdite kaluam mirë dhe qetë. Kur u largua mjegulla koha u bë mjaft e bukur.

23 gusht

Mëngjesi si zakonisht i ftohtë. Na zgjuan më 06:30. Grupi ynë i 17 Nëntorit dhe Koço Ziso shkuam thellë në krahun e perëndimit të Kullës së Kolajve. Bëmë ngjitje në një majë, e dyta si lartësi dhe si renditje nga pika Jugore ku mbyllet ky varg. Unë u ngjita me Koçon. E nisëm për të lehtë por doli e gjashtë. Ndënja një kohë të gjatë mbështetur në shkallë dhe u lodha shumë. Ndërkohë me radio lozëm një shaka sikur jemi keq që të vinte Shili. Mirëpo ai e mori me gjithë mend e na solli Qazimin, i cili erdhi në kohën kur unë duhej të devijoja nga itenerari. Bëra një lavjerës dhe kalova majtas (isha i futur në një kënd të drejtë). Me ndihmën e Qazimit, që më udhëzonte nga poshtë, kalova deri afër lugut ku u futën treshja jonë (duhet të jetë fjala për Dashin, Marion e Kiçkën). Ishim tepër afër. Më lanë fare forcat. Me një kujdes të shumfishtë u lidha me litarin që më hodhi Mario e u futa në lug. Pastaj dola sipër. I Raskapitur! Koço hoqi materialet e më pas u ngjit por la një gozhdë dhe një çelës (karabinë). Prej aty hipëm në majë duke ecur 15 minuta në kurrizore. Bëra shumë fotografi, sidomos për malet. Në majë gdhëndëm në një gur “17N” e në listën e emrave (të itenerarëve/majave të ngjitura), shkruajta Maja 17 N. Kështu, si me shaka, “e pagëzuam”. Zbritëm dhe në ora 17:55 ishim në kamp. Mbas një ore erdhi Shili i cili e mbylli ditën alpinistike me një rrjeshtim ceremonial ku na raportoi hollë e gjatë ngjitjen, si i kaloi dita dhe pse u vonua (Shilit i pëlqenin ceremonitë dhe pompozitetet dhe kur caktohej komandant veprimtarie i bënte sa mundej. Ne, si rregull, nuk ja prishnim). Kampi sot është veçanërisht i qetë.

24 gusht

U ngritëm aty nga ora 7. Koha është në keqësim e sipër. Mbas orës 08:30 u nisëm për në Prozhëm (marshim), por pasi u bënë qyfyret e zakonëshme gjatë leximit të urdhërit të ditës (d.m.th. planit ditor) nga Vironi. U ngjitëm të parët në majën e Sqetës së Cjapit unë, Vullneti, Vangjeli, Koço. Më pas erdhën, Jani, Mario, Petraqi e doktori (Vlashi). Kurizore kaluam në Prozhëm tre të parët dhe Marjo. Në një moment të fundit të vështirësisë së kalimit të kurrizit (kreshtës) më zuri frika. Nga lodhja më dridheshin këmbët e disi mu kujtua Allamani (ka mundësi që për herë të dytë kreshtën ta kem kaluar me të). (shënim: këtij momenti i jam referuar me vehten time më vonë ngase është një rast i pastër që tregon që në atë kohë e kam patur liganmentin kruciat të këmbës së djathtë të këputur. Ende nuk e dija – e diktoi më pas ortopedi Leonidha Konomi. Në pjerrësi ligamenti nuk e kryente punën e tij dhe ja kalonte këtë punë ligamenteve anësorë – kështu ma spjegoi mjeku. Mirëpo ato ligamente nuk ishin për atë funksin dhe kjo shkaktonte dridhje të këmbës, etj. Më ka ndodhur edhe një herë tjetër tek udhëhiqja një të katërt me Shilin dhe Ed Sheldinë. Dhe hoqa dorë përfundimisht nga kacavarja dhe pjerrësitë e forta, pasi zbrita nga një kacavarje të shkallës 3 A ku punova në litar me Artur Shehun në Fushë Dënell. Ishte testi final që i bëra vehtes dhe nga ai moment nuk kam kryer më kacavarje dhe i jam shmangur maksilalisht pjerrësive në truall. Në borë e kisha më të thjeshtë ngase bëhej një “shesh” për shputën).

Pasi u ngjitëm, në zbritje takuam Ladin e Kiçkën (Kristaq Korçari), e më vonë të tjerët. Poshtë tek stani hëngrëm një kos të pa zënë. Mbasditja kaloi e qetë (ra pak shi).

25 gusht

Koha vërtet e keqe. Mjegull, shi, erë. Në ora 11 një përmirësim, por përsëri një “risulm” nga jugu. Tërë ditën rrimë në çadra. Filloi gatimi i kërmijve dhe kërcet loja me letra. Nga Shili, në darkë, mora vesht një bisedë që kishte patur me një stacion francez (një kanal të radios marëse-dhënëse në gjuhën frënge) që kishte hyrë në valën tonë.

Gjithashtu një djal i Peshkopisë (d.m.th. anëtar i ekipit Korabi) pati sot një “bisedë” me një kërmill (ndodhnin këto me peshkopiasit) që i pati hipur në çadër e që më së fundi e goditi me shkop. Për nesër duket që përsëri do të jetë kohë e keqe.

26 gusht

U gdhi kohë jo e mirë. U ngritëm vonë. Retë relativisht janë lart (mbi maja) e nga ora 10 rrjeshtohemi për marshim. Një grup drejtohet për në Langojt (qafë) e ca nga ne shkojmë për në itenerarin e dimrit (është fjala për ngjitjen e majës së Jezerës nga faqja veriore, synim që ishte në dimrin që lamë pas, madje me mendimin se mund të kalohej edhe në Valbonë). Ishim: Shili, Koço, Taxhi, Gëzimi, Kiçka, Marjo, unë. Ora 10:20 u nisëm. Bëmë ca foto rrugës. Vajtëm tek shpella e Malësores (e mirë për dhën) dhe ndenjëm pak tek çadrat e gjeologjisë (ishte nje ekip gjeologësh pranë liqeneve që punonte për polimetale). Pa kapur qafën takuam kufitarët (4 ushtarë) e bëmë fotografi me ta. Kur dolëm matanë lindi diskutimi i ngjitjes në qafë. Pamë liqenin e madh të tharë fare si dhe një të vogël (tek gjeologët ishin të tharë fare). Kish mbetur një i vogël (i Runicës po ashtu i tharë). Kiçka e Koço u kthyen. Ne u nisëm për Jezerë. Bora ka shkrirë jashtëzakonisht shumë. Ka mbetur një dëborë mjaft e vjetër mbi të cilën rrjedh ujë i cili në shumë vënde zhduket në ca plasa e të çara, një pjesë e të cilave janë mjaft të thella.(shënim: bora këtu është e ngrirë dhe këto ujra rrjedhin mbi të. Vetëm pasi kalova disa orë stërvitje në gusht të vitit 2008 në rrëzë të malit Mont Blanc – Francë – në akullmajën Mare de Gras, kuptova se kjo sipërfaqe me borë të ngrirë rrëzë faqes veriore të malit të Jezerës ishte një akullnajë. Jo e madhe, por akullnajë, e cila formohet këtu ndoshta ngaqë me sa duket në faqen veriore të Jezerës bie shumë borë). Kur kaluam borën (tani më bie të them akullnajën), bëmë ca humor me Shilin i cili me këpucë gome (atlete kineze) rrëshqiti nja dy litarë dhe u bë qullë. Kështu që u çvesh e u shtrydh (ora 14:00). Pastaj dolëm në qafën Jezerë-Kokërhane (hake) në 2.200 metra. Aty pushuam pak në një shpellë e nga ora 14:30 u nisëm për Jezerë. Ra mjegull e fortë dhe zuri shi. Ndaluam pak, po pastaj vazhduam. Ora 15:45 arritëm në majë unë e Taxhi. Pas pak Marjo e pastaj Shili me Gëzimin. Këtu gjetëm një letër të ekipit të Tropojës lënë më dt. 01.08.1975. Shili u lidh mjaft mirë me Petraqin (me radio) i cili gjuante nga Gropat e Bukura (Petraq Kule hera-herës merrte çiften e gjahut në veprimtari. Ai është një gjahtar i mirë).

Zbritëm nga Gropat e Bukura. Në hyrje të tyre u takuam me Petraqin dhe një bari të Grizhës (Grizha është një fshat midis Shkodrës e Koplikut). Nga ora 18:30 arritëm në kamp. Nuk na priti njeri (një traditë, e cila po “dobësohej”. Ata që ndodheshin në kamp duhej që, pasi dikush që na spikatëte që po vinim, të rrjeshtonte alpinistat që ndodheshin aty dhe një nga ne, gjithashtu të rrjeshtur, në këtë rast Shili, të raportonte për veprimtarinë tonë, etj.). Shili i indinjuar qëndroi gati-tu dhe i dha solo një zig-zag. Kiçka na kish ruajtur komposto dhe na kish bërë ujin gati për çaj që më pas na e serviri Shili.

Pimë komposto e çaj dhe e morrëm vehten mirë. Petraqi na dha ca djathë të njomë (që me siguri ja kish dhënë bariu nga Grizha). Gjatë marshimit mu mbarua filmi. Megjithatë duhet thënë se moti nuk ishte për fotografi. Nuk më eci sot me aparatin fotografik.

27 gusht

Në mëngjes zuri shi i lehtë. Pushoi, por gjatë gjithë kohës kishte mjegull mjaft të dendur. Nga dreka mjegulla u largua e mbeti kohë e vrenjtur deri në darkë. Pastaj prap shi. Dita kaloi duke luajtur me letra dhe duke i pyetur shokët më të vjetër për fillimet e tyre të alpinizmit. Radio njofton për kohë të keqe edhe për nesër dhe ne vendosim të nisemi për në Theth.

29 gusht

Dje u ngritëm më nge. Koha përsëri e keqe, me mjegull, kurse më parë ra shi. Filluam të bëhemi gati për tu ulur në Theth. Para se të nisemi u bë sherr për mjekrat (partia në pushtet na donte të rruar dhe kush nga ne ishte drejtues veprimtarie apo anëtar partie e ndjente si përgjegjësi që kur të uleshim “në qytetërim” të ishim pa mjekër). U rruam (unë lashë mustaqet). Dhe nga ora 11:30 u nisëm. Nga ora 15:00 arritëm në Theth (kampin e punëtorëve). Bëmë nga një dush dhe më pas kaluam kohë të lirë deri në darkë. Në darkë me Muharremin (M. Lleshi, komandantin e poshtës kufitare) dhe Llazin (Llazar Toska komisar i postës) ja shtruam (me ushqim e raki).

Nga ora 9 Zefi i klubit filloi të bëjë fjalë. Me ndërhyrje (nga Shili) u rregullua që të qëndronim deri më 9 e 30 e më pas deri më 10 (të natës). Më 10 Shili dha komandën “çou!”.

Sot është prap kohë e keqe. Mënge çdo veprim. Pas orës 10 u nisëm për tek Shpella e Rrathëve. Na zuri shiu rrugës. Vazhduam përsëri pasi shiu pushoi pak, por prap na zuri shi e mjegull dhe me vështirësi gjetëm shpellën. Aty ndezëm një zjarr e disi u thamë. U futëm brënda më 11:45 e dolëm në ora 14:00. Zbritëm dhe në kamp arritëm më ora 16:00. Kishte ardhur Seiti (Veseli? i caktuar sekretar i shoqatës në vend të A. Tapia). Ora 17:00 filluam analizën e veprimtarisë deri 18:20. Pastaj ai u largua bashkë me një pjesë të shokëve.

Për nesër do e kemi keq për makina. Në darkë luajtëm karambol dhe na bëri Shili mëlçi të skuqura. Pastaj pak kohë pranë zjarrit të Beratit e në çadër.

VITI 1980

2-15 Shkurt, Valbonë

2 shkurt

Udhëtuam nga Tirana në Bajram Curri me autobus. Udhëtimi pa kombinime (tren, target) ishte mjaft i mirë dhe me interes për kalimin nëpër Fierzë. Kohëzgjatja e udhëtimit: 06:30 – 17:00. Pritja në Bajram Curri mjaft e mirë. Nuredini e Haziri ishin interesuar mjaft. Dhe nuk ishte vetëm interesim por edhe i ndërthurur me mikpritjen.

Për arësye të zhvillimit të një loje ushtarake hotelet ishin mjaft të ngarkuara dhe një pjesë e alpinistëve u sistemuan në fshatin Bujan.

Një mikrobus me gjashtë alpinistë arriti më 01:30 (pas mesnate). Janë dy nga Studenti, dy nga Korça, Kiçka si dhe Kozmai që vjen si përfaqësues i ministries.

3 shkurt

Mblidhemi në palestrën e shkollës, ku Kozmai rihap problemin e ndarjes ndër grupe. Pati edhe përplasje me grupin e Taxhedinit por më së fundi çdo gjë normalizohet.

Ora 11:00 nisemi e autobusi na çon deri në Dragobi. Na përcolli deri aty edhe Kozmai që më pas u kthye. Me ne është edhe Ndue Ukcama që do të filmojë gjëra për të dhënë për ne një kronikë në televizion.

Atë ditë ra shi e borë mjaft dhe ne na shkoi në Dragobi e gjithë dita duke kërkuar kafshë transporti. Gjetëm disa dhe nisëm 10 vetë nga grupi i Ragamit. Të tjerët u shpërndanë nëpër baza. Unë, Marjo e Nuredini vajtëm tek shtëpia e shitësit të Dragobisë, Ram Smajlit, i cili është mik i Nuredinit. Kaluam mjaft mirë.

4 shkurt

Aty nga ora 09:00 u nisëm të gjithë për rrugë drejt Valbonës ku arritëm më 12:00. Morrëm kontakt me njerëz dhe rregulluam edhe një orë rrugë me kafshë për grupin tonë duke i çuar materialet deri aty ku fillon e përpjeta për tek Buni i Ziçit. Pas një pushimi prej rreth një orë, ngarkuam çantat në shpinë dhe u nisëm për në Bun të Ziçit. Arritëm aty nga ora 17:00. U sistemuam dhe mbetëm ne të 17 Nëntorit e Qemal Biçaku. Nuredini me Hazir Malajn u kthyen për të marrë materialet e mbetura, kurse Kiçka dhe beratasit nuk u nisën por qëndruan në Valbonë. Ndezëm një zjarr të dobët.

5 shkurt

Kemi fjetur jo keq (jo me mbërdhifje). Pasi vjen Nuredin Seci dhe Hazir Malaj (sipas fjalës ne do i prisnim në mëngjes) aty nga ora 08:30 nisemi për në drejtim të majës së Grykave të Hapura. Koha është përmirësuar mjaft. Bora nuk para mban. Ndjekim itenerarin e zakonshëm, dhe për llojin e borës që është, ngjitemi me temp të lartë. Në afërsi të majës, kur fillon pjesa buzë geminës, del se Haziri, Dashi e Qemali kanë harruar kthetrat. Kështu që këta tërhiqen dhe kthehen. Kështu që në majë, ku arritëm më 13:30, të jemi unë, Romeo, Marjo, Nuredini e Niko. Bëjmë “ceremoninë” e rastit dhe ulemi. Aty nga ora 17:00 jemi në kamp. Unë Marjo Nuredini dhe Haziri, më parë gjatë ngjitjes për në Grykat e Hapta, kemi kontrolluar edhe shtegun e uljes për në Lugbat. Duket shumë normal.

Në kamp kanë ardhur edhe shokët e tjerë të togës sonë e që kanë ndezur një zjarr të mirë. Nuredini e Haziri duan të ulen rishtaz në Valbonë por unë ju a shtyva uljen për nesër.

6 shkurt

Bie shi e borë. Mot i keq që ka nisur që mbrëmë ora 23:00. Na ka qullur keqas. Nuredini,Vullneti e Haziri përgatiten për ulje por unë duke parë shënja të një përmirësimi moti e prapësoj nisjen e Hazirit (Haziri i njeh mirë dy malet ku dua të ngjitemi) dhe i porosis shokët që të nisemi drejt majave Çet Harushe e Peçmare. Nuredini e Vullneti ulen poshtë kurse ne në ora 10:00 nisemi për në majë. Fillimisht, për 45 min., marrim rrugën për në Grykat e Hapta pastaj kalojmë majtas në një shteg rrëzë shkëmbit e biem (dalim) në 2/3 e lartësisë së lugut që zbret nga qafa midis Grykave të Hapta e Çet Harushës dhe që është me rreziqe orteku. Mbajmë anën e djathtë të kësaj gryke e dalim në Bjeshkëz – një cirk mjaft i bukur mes majave të Grykave të Hapura, …………, Çet Harushe e Peçmare. Këtu Grykat e Hapura kanë faqe të pingulta, të thikëshme, rreth 200-250 metroshe. Është një vend i mrekullueshëm për hotele malore. Ka shteg të mirë kalimi edhe me kafshë nga ana e Mbas Kollatës. Është vend i bukur për ngjitje shkëmbore për në Grykat e Hapata si edhe për ski.

Mes mjegullës, që herë pas here hapet, arrijmë në Çet Harushe më 13:20 dhe më pas, me kohë më të mirë, në Peçmare më 15:00.

Kthehemi nëpërmjet Grykës së Hapët (nga merr emrin maja pranë) në kamp më 17:30. Aty kemi çaj të bollshëm që e kanë përgatit Dashi (nuk erdhi sepse i dhëmbin këmbët), Kiçka e Toli që u kthye nga ngjitja. Pas pak arritën Nuredini e Vullneti që kanë sjellë edhe një sopatë. Zjarri është i bollshëm e thahemi mirë. Era fryn nga mali në luginë, gjë që flet se do kemi mot të mirë.

7 shkurt

Dielli në lindje ka zënë majat; shenjë kjo që Valbona të paktën para dite do të ketë mot të mirë.

Ora 07:00 nisemi dhe nëpër gjurmët e mbuluara (për në Grykat e Hapta) më 09:30 jemi në Shtegun e Deshëve (Shtegun për në Lugbat). Fillojmë zbritjen. 100 metra poshtë pastaj kalim traversë rreth 300 metra djathtas. Këtu fillon pjesa që do kujdes: ulje, pastaj traversë, pastaj ngjitje (të forta këto) dhe pastaj një traversë e gjatë e cila përfundon me ngjitjen që të nxjerr në Lugbat. Aty jemi më 11:00. Fitore pas 11 vjetësh! (pas 11 vjetësh që nga koha kur u gjet, ky kalim realizohet në sezonin dimëror). Aty jap variantin që të ndahet grupi më dysh për të ngjitur disa në majën e Lugbatit e disa në Gavën. Nuk e pëlqejnë ngase të gjithë duan ngjitjen në Gavën.

Nisemi për Gavën. Pas një orë e 15 minuta arrijmë në shpatet e tij. Pas kalimit të 20-25 metrave në një pjesë të vështirë krijohet një moment ngurimi në grup. E shfrytëzoj këtë ngase dhe krijohet rishtaz mundësia që të ngjitemi në majën e Lugbatit. Dhe kështu ndodhi: Nuredini, Marjo e Qemali nisen për në Gavën. Ne të tjerët për në majën e Lugbatit. Koha prishet keqas por më 14:00 jemi në majë.

Kalojmë shtegun dhe të gjithë nisin zbritjen për në kamp. Vetë pres rreth 30 minuta deri sa kthehet dhe grupi i Gavnit (më 16:30 apo 16:45). Zbresim me kohë të keqe. Në kamp gjejmë çaj e zjarr por koha është shumë e keqe.

8 shkurt

Ka rënë borë e madhe. Disa herë gjatë natës kemi shkundur çadrën (kemi dalë jashtë dhe kemi hequr borën nga çadra). Bora ka zbukuruar natyrën por vazhdimi i saj e bën të pakuptim qëndrimin tonë aty. Fillojmë të prishim kampin dhe më 11:00 fillojmë zbritjen. Bora vazhdon të bjerë.

Me ndihmën e Hazirit ndahemi në dy shtëpitë nga më të fundit të Valbonës: unë, Mario, Dashi, Nuredini, Romeo e Niko vendosemi në shtëpinë e Beqir Sadikut (Valbonës), kurse Haziri, Kiçka, Qemali, Vullneti, Jani e Toli tek shtëpia fqinjë e Luigjit (Ndout) (Luigj Pëllumbi).

Thahemi e pushojmë mirë. Njerzit na presin mjaft mirë.

9 shkurt

Dita mjaft e bukur. Vazhdojmë tharjen. Disa gjëra i nxjerrim në diell. Nga dreka nisemi në qendër të fshatit ku takojmë shokët e tjerë (togë tjetër) dhe hamë një drekë të mirë. Mbasdite nisemi në bazën tonë e përgatitemi për ngjitje në majën e Rosit (Roshit). Kiçka sot nuk është ndier. Është i sëmurë.

10 shkurt

Nisemi për në Ros. Koha e mrekullueshme. Vullneti na futi nga ana e pyllit dhe u munduam mjaft. Duhej të ishim nisur drejt rrugës së thjeshtë nëpër kanal pa u future fare në pyll. Rrugës takuam B. H. i cili “kërkonte”, gjoja, “bárin” (mullarin e tij me sanë të korrur gjatë vjeshtës). Ne i ramë shkurt dhe e morrëm me vehte për në majë kështu që na bëri punë e nder. (Duket se atë e kishin nxjerrë drejtusit e postës kufitare për të na kontrolluar se mos kalonim matanë/kufirin. Maja e Rosit ka piramidë me shkrimet e dy shteteve).

Maja ishte e thjeshtë por e bukur. U kthyem në bazë të raskapitur. Ideja që nesër të ngjitemi në Brijas bie poshtë ngaqë njerëzit janë të lodhur.

11 shkurt

Ora 03:15 pas mesnate vjen Haziri në dhomën tonë. Ai duhej të vinte mbrëmë më ora 21:00 të më tregonte parashikimin 10 ditor të motit që jepej në televizor, por nuk erdhi.

Tek Luigji kishte ardhë informacion, dhe ai na tregoi, se nga grupi i qendrës disa alpinistë kanë ngelur në majë (malin) të Kollatës; se paska goditur e gjakosur kokën Maridon Hito dhe është alarmuar kufiri dhe dega e punëve të brendëshme Tropojë. Informimi ish se ata ishin të gjithë mirë.

U ngrita; zgjodha shokët më në gjëndje. U nisa ora 04:00 me pajime teknike.

Vajta në dhomën (në qendër) ku flinin Mario Hito e alpinistë të tjerë të asaj toge. Hasa pengesa për të mos u interesuar dhe vajtur në ndihmë, por pastaj i binda se atyre duhej tu vinim në ndihmë. Morrëm, prej tyre, me vehte Vironin si ma të shlodhurin.

Tek u nisëm për të njoftuar postën kufitare për ndërmarrjen tonë, në mal pamë zjarr që lëvizte. U bindëm se ishin pisha të ndezura nga shokët që zbrisnin. Këtë bindje e krijuam edhe pasi morrëm vesht se askush tjetër nuk ishte nisur për t’i kërkuar (në fakt, më vonë mësuam, se ata digjnin shami për të bërë dritë). Pas kësaj nisëm drejt tyre pesë veta, sa për tu dalë përpara, për kurajo, kurse unë e Vironi ndezëm një zjarr mbi një livadh rrëzë lugut që të ngjitëte drejt tyre. Ata arritën tek ne të gjithë shëndoshë e mirë rreth orës 11:00. Pas kësaj morrëm të gjitha masat që Tirana të njoftohej se alpinistët janë të gjithë shëndoshë e mirë. U largova nga qendra duke porositur që llafosjet të mbyllen.

Nesër kemi për të bërë ngjitje në Brijas. Kemi marrë masat e kemi rënë në ujdi të ngrihemi më 03:30 të mëngjesit.

Në darkë jepet njoftim për mot të keq. Megjithatë gjithshka do vendoset më 03:30 të mëngjesit.

12 shkurt

Koha është e papërshtatëshme për ngjitje. Kalojmë kohën në shtëpinë e vëllëzërve Beqir, Ibrahim, Sherif (Sadiku) Valbona ku po qëndrojmë.

Dita kaloi me biseda e lojë me kapuça. Nga bisedat mësuam se lagja Kukaj në dimrin e vitit 1963 ishte goditur nga orteku.

13 shkurt

Ngrihemi më 03:30 dhe pastaj më 06:00. Koha e keqe. Mbetemi brënda.

14 shkurt

Ngrihemi më 03:30 e pastaj më 06:00. Vinë edhe alpinistë të tjerë. Pleqërojmë e nuk biem dakort për ngjitje. Më 09:00 ngrihem e përgatitem për në Brijas. Më përkrah Nuredini dhe Haziri. Nisemi më 10:00.

Çajmë borën me temp të lartë, sidomos Nuredini. Unë, e sidomos Haziri, e saktësojmë mirë itenerarin. Më 15:00 jemi në qafë të Brijzës dhe më 16:30 në majë. Koha mjaft e keqe: ftohtë, erë, mjegull e borë. Uji na ngrin. Më 17:30 rikthehemi në qafë (ose 17:45). Nga ora 18:00 ecim me elektrikë dore. Me to japim sinjale për shokët poshtë (që jemi në lëvizje). Pasi kaluam Ziçin takuam Tolin me Luigjin (tek Luigji qëndrojnë shokët e tjerë). Përqafime, etj. Më 19:45 jemi në shtëpi.

15 shkurt

Ora 10:30 fillojmë analizën si togë. Më 15:40 fillojmë analizën si grup. Tani jemi mbledhur për darkën përfundimtare.

1985; 18-27 korrik

Pjesëmarrës: Aleksandër Bojaxhi, Dashamir Fejzo, Xhemol Begeja, Ilir Tapia, Sokol Doko.

16 korrik. Udhërtuam me trenin e mbasdites për në Shkodër. Sokoli kishte ardhë para dite e na kishte zënë vënd në hotel tek turizmi i vjetër. Kaluam një natë me biseda të gjata e me vapë.

17 korrik. Me një SKODA erdhëm në Theth. Na kostoi 250 lekë për person. Mezi e rregulluam me atë çmim sepse fillimisht na kërkoi nga 500 lekë. Skoda ishte e mbyllur, kështu që udhëtimi ishte i bezdisshëm. Ndaluam në kampin e Thethit sepse shoferi nuk pranoi të na çonte tek qershitë. Aty erdhi një SKODA e ngarkuar tej mase e cila sillte materialet e staneve të fshatit Grizhë për verim në Qafë Pejë. Ngarkuam edhe ne çantat aty, por kur skoda po kalonte lumin e Thethit ranë në ujë (lumë) çanta e Sokolit, një arkë me ushqime (që u zhduk; rreth 500 kekë) dhe një fëmijë. Çadrat u ngritën tek qershitë (Kroi i Shrtrazës). Jemi pak dhe qetë.

18 korrik. Ekipi ynë me dy dyshe bëri ngjitje tek shkëmbejtë përballë (muri Radohinës). Ekipi i Dajtit vajti tek Arapi kurse Tropojasit bënë vrojtim në një lug që zbret nga Alia. Çunat tanë në kthim studjuan Arapin. Sot delet që kullosnin rrotull na hëngrën shumë domate, etj. dhe kemi ngelur thuajse vetëm me qepë.

19 korrik. Tropojasit janë pa bazë materiale. I lëmë në kamp. Dajti rishtaz vete në Arap. Ilirin e Sokolin i dërgoj në një itenerar të Arapit, në pjesën e djathtë të faqes që duket prej këtu. Kanë mendimin që nesër të ngjisin Arapin (për këtë dje shfrytëzuam edhe mbasditen, dhe me ta, gati dy orë, punova në shkëmbin në pyll).

Unë me Xhimin, nëpër lugun pranë nesh, u ngjitëm në Ali e u kthyem nga Qafë Peja. Itenerari ishte i mërzitëshëm sepse kish shumë gurë, por për dimër, në kohë me ngricë, është i mrekullueshëm. Të nxjerr drejt e në qafë të Valit.

Sapo u ktheva me Xhimin, Nardi (Leonard Rama) i Dajtit niset për në rrëzë të Arapit (mori ca ushqime, ujë e veshje). Ai shtoi: “Është vonë dhe ata (dyshja e Dajtit) mund të mbeten atje. Kozmai më tha që të vijnë edhe 2-3 nga djemtë me një litar për çdo rast”.

Teksa haja, me dylbi, shokët ndiqnin ngjitjen (Haziri kish sjellë dylbi) e dyshes së Dajtit. Pas pak del fjala se litari i sipërm ka kaluar poshtë, që d.m.th. se Luani ka filluar zbritjen. Në këto biseda ja behu Kozmai pa frymë. U bë e kjartë: Luani ishte rëzuar. U nisëm (jo unë, se isha tepër i lodhur) me vrap për ndihmë, për tu vajtur në ndihmë nga sheshi nëpër traversë.

U futën (për ndihmë) Sokoli dhe Iliri. Nga protestat e Sokol Hoxhës dyshja mori sipër për tu hedhur litar, por u futën në një vend tepër të vështirë, saqë u tha se më në rrezik tashmë ishin këta të dy (Sokoli me Ilirin) sesa të aksidentuarit. Ndërkohë filloi shi, pak, i cili e solli ne vete Luanin. Thënia se dyshja e Tiranës është shumë më keq se ju i mobilizoi Luanin e Sokolin të cilët vetë arritën që të zbrisnin deri tek traversa qëndrore. Tashmë pothuajse ishte errur. I morrëm fjalën dyshes se nuk do të lëviznin që aty dhe se nesër do vimë që t’i nxjerrim. Më pas, edhe unë u ngjita deri tek pika më e afërt e komunikimit me të dëmtuarit. U ulëm të gjithë poshtë pasi bindëm Nardin e Kozmain se nuk kishte kuptim ta kalonin natën aty.

20 korrik. Sapo zbardhi i pari u çua Kozmai. U nisën të gjithë lart. Vetëm unë (Aleksandri) mbeta në kamp. Nga brinja qëndrore e Arapit (shpatulla), Sokoli e Iliri kaluan traversë e pas 100 metrash arritën në taracë. U dhanë të dëmtuarve ushqim e veshje e pastaj i kaluan (të siguruar) në shpatull. Prej aty u ulën poshtë dhe prej aty, në krahë, e ulën Luanin deri në kamp. U mjekua dhe u vu të qetësohej bashkë me Sokolin. Më 12:30 çdo gjë ishte stabilizuar. Ekipi ynë më ora 20:00 filloi përgatitjet dhe sistemoi materialet për të sulmuar majën e Arapit nga rrëza e tij.

21 korrik. Shkruan Dashi. Të gjithë u zgjuam herët për arësye se Iliri me Sokolin do të sulmonin Arapin nga rrëza. Nisja nga kampi u bë në ora 05:10 dhe ngjitja filloi në në 07:15. Në orën 13:15 të dy dolën në podin e Arapit që ndodhet në të majtë të faqes shkëmbore. Ishte biseduar që në darkë që të bëhej komplet Arapi, mirëpo duke mos patur asgjë të keqe që të ndërpritej tek podi dhe të vazhdohej të nesërmen, vendosëm që të dy shokët që linin aty bazën materiale dhe të zbrisnin poshtë. Dhe ashtu u bë. Ngjitjen e udhëhoqi Sokoli i cili pati shumë siguri në shkëmb. Gjithashtu edhe Iliri punoi mirë duke e siguruar. Që të dy shokët kanë një përgatitje fizike e teknike të mirë në shkëmb. Gjumë ora 22:30.

22 korrik. I gjithë ekipi ishte në tension dhe vetëm për këtë flitej, d.m.th për ngjitjen që u la në mes. Nga ora 2 e natës filloi një erë shumë e fortë, e cila vazhdoi edhe gjatë ditës. Kjo gjë që na pengoi për ngjitjen, e cila nuk u krye. Presim si do të jetë dita e nesërme, data 23. Në mbrëmje moti u qetësua dhe darka kaloi shumë mirë. Gjumi si zakonisht në ora 22:30.

23 korrik. Zgjohemi në orën 05:30 dhe nisemi si ekip për të shoqëruar dhe instruktuar Sokolin dhe Ilirin (Kolin dhe Lirin) se ku do të ecte (ngjitej) që të dilte sa më lehtë në majë. Ngjitja filloi në ora 07:15 nga vendi ku u la dy ditë më parë. Kjo pjesë ngjitje është gjysma, por më e vështira, ku në fillim Sokoli kaloi diagonal me shumë mjeshtëri deri tek brezi i zi i cili ka një gropë e prej ku, sipër saj, fillon plasa ose ulluku i vetëm që ka ky brez. Prej këtu vazhdoi ullukut deri sa mbaron brezi i zi të cilin e kaluan shumë shpejt. Për të shkuar deri tek shpella të dy kanë punuar shumë mirë dhe në orën 18:45 dolën në majë ku dhanë dhe zig-zagun. U kthyen në kamp në orën 20:45, ku ne i pritëm me një zjarr të madh dhe i uruam për këtë sukses të tyrin dhe të alpinizmit tonë.

Përmbledhje: Faqjq Jugore e Malit të Arapit

Për ngjitjen e faqes jugore, dt 21 korrik – 23 korrik 1985 u përdorën:

  • Plenga/gozhdë 66
  • Litarë 40 m linear 2
  • Pyka 9
  • Shkallë 7
  • Karabina 80
  • Majth/çekiç 2

Ngjitja kërkoi 23 rigrupime Sokoli + Iliri

24 korrik. Sot u zgjuam sipas qefit dhe e kemi lënë që të dalim në Qafë Pejë me çanta, ngase atje do jetë zona ku do të vazhdojmë ngjitjet për ditët në vazhdim. Nisemi më 16:10 për në Qafë Pejë. Katër çanta i vumë mbi mushkat që sjellin qumështin poshtë, kurse atë të Acit, si më të lehtën, e mbajnë me rradhë Iliri me Sokolin. Mbrijmë në vendin ku janë sistemuar Tropjanët dhe dy të Dajtit në orën 19:20. Ngremë çadrat dhe përgatisim darkën me makarona e kuti mishi. Gjumë më 22:30. Iliri na siguroi 5 litra qumësht me ndihmën e ushtar Llambros nga Vlora.

25 korrik. U zgjuam në orën 07:00. Aci me qumështin që siguroi Iliri përgatiti mëngjesin të cilin e hëngrëm me shije sepse është qumësht dele. Dje rreth orës 19:30 morrëm vesh se në Valbonë ku zhvilloheshin ngjitje si këtu në Qafë Pejë edhe në Livadhe të Bogëve, ka rënë nga një lartësi prej 70 metra një alpinist që bënte ngjitje në Malin e Thatë në Valbonë, i cili ishte Pullumb Llabanishti i Partizanit. Ai, siç e spjegojnë, ka kryer ngjitjen dhe në zbritje ka rrëshqitur, ka mundur të kapet tek litari, porse nuk ka mundur të frenojë veten. Është dhënë alarmi nga shokët e tij dhe është nxjerrë pa ndjenja (i vdekur) nga tre fshatarë që kositnin bar në livadhet përreth. Kjo ka ndodhur në datën 22 korrik dhe ne e muarëm vesht më 24 korrik. Sot në rrjeshtimin e mëngjesit mbajtëm një minutë zi në shenjë respekti dhe kujtimi të këtij alpinisti i cili ishte shumë i mirë me shokët. Ai ishte i sapo martuar dhe djal i vetëm.

Sot ekipi 17 Nëntorit do të punojë tek mali i Langojve, Dajti tek Sqeta e Cjapit dhe Valbona në Kllogje. Jemi gjithsej 10 alpinistë nga 12 që ishim në Shkodër. Në Theth është lënë Luan Redhaj i cili ka dëmtuar këmbën në ngjitjen e Arapit ku ai u shkëput nga shkëmbi. Kozma Grillo u largua sepse ka një shërbim. Dezhurn në çadra është Dashi, i cili do të gatuaj atë që kërkojnë shokët: çomlek me sallam dhe oriz, pa llogaritur të tjerat.

Shënim: Të gjithë ata që do ta lexojnë këtë ditar ta kenë parasysh se nuk është e lehtë të gatuash sepse nuk gatuan për vete dhe hajde, pasi janë pesë vetë që kanë pesë mide të ndryshme. Aci gjithashtu nuk përton të gatuaj si dhe unë (Dashi). Koli me Lirin nuk ja shkrepin fare, kurse Xhimi që ka profiling e punës guzhinjer, si duket i është mërzitur, se edhe këtu nuk e ka me qef këtë punë. Morali në ekip është i lartë, shokët janë të pa përtueshëm. Shokët e ngjitjeves u kthyen më 16:00.

26 korrik. Zgjimi sot u bë më 07:00 dhe grupet u nisën për ngjitje. Ekipi ynë punoi tek Sqeta e Cjapit, ekipi i Tropojës dhe Dashi vajtën deri tek qafa e Radohinës. Unë (Dashi) dhe Haziri u kthyem në kamp në orën 16:00.

Ekipi i Dajtit punoi në Arap një ngjitje të kategorisë IV në faqen perëndimore. Sot ekipi i Tropojës u nis për në Valbonë nga ana e Gropave të Bukura. Materialet i ngarkuan në mushkën e postës kufitare. Po sot është njoftuar me telefon posta kufitare këtu që të na njoftojë se ne alpinistët nesër dt. 27 të jemi në orën 10:00 në Theth. Atje na prêt autobuzi për në Shkodër. Është një nisje jo e rregullt mbasi po e lëmë aktivitetin pa mbaruar. Është urdhër nga Federata jonë. (Ishte masë e marrë nga Federata si pasojë e aksidentit që kishte ndodhur në Valbonë).