Pak histori nga alpinizmi

histori alpinistNuk kemi ende një studim të mirëfilltë lidhur mbi historinë e alpinizmit në vendin tonë. Kjo ndoshta ngaqë, diku e dikur në propagandën e kohës së punizmit, u shkrua se ky sport ishte “sport i viteve të partisë” dhe kështu, askush nuk u muar me të shkuarën alpinistike të vendit tonë. Personalisht, ndjej dhe gjykoj se ia vlen të pranojmë për ditëlindje të alpinizmit shqiptar, ditën kur për motive argëtuese u ngjit për të parën herë maja më e lartë e Bjeshkëve të Namuna, Jezera. Kjo ndodhi më 25 Korrik të vitit 1934.

Mbas Kongresit të Lushnjës (v. 1920) filloi një periudhë e jetës sportive kur mjaft të rinj u organizuan edhe në grupime me synime turistiko-alpinistike, ose në grupime të vogla si dashamirës të natyrës në bazë të njohjes si shokë, dhe i ranë kryq e tërthor Shqipërisë etnike për ta njohur e për tu ndjerë krenarë me të. Kish të rinj që u ngjitën edhe në male të ndryshme të vendit. Vitet 20-të dhe 30-të të shekullit të kaluar, ringjallën një romantizëm të vonuar evropjan në pjesën e Ballkanit, ku jetonë shqiptarët. Për pasojë këto vite gatuan pasione rinore edhe me dëshirën për t’i parë malet si vende argëtimi e kënaqësidhënëse. Revista të asaj kohe të tilla si “Gjurmusia”, organ i lëvizjes Gjurmusia Shqyptare, si dhe revista “Minerva”, krahas organeve te tjera të shtypit, kanë dokumenta dhe informacione të vlefshme për të hetuar fillimet e sportit të ngjitjes së malit në vendin tonë. Edhe fotografë apo stdio fotografike si Foto Pici, Foto Jakova, etj., të cilët kanë ilustruar revistat, besoj se duhen konsideruar në një studim të ardhshëm të historisë së alpinizmit në Shqipëri.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore vlen të përmendim ngjitjet e realizuara në vendin tonë nga një ekspeditë italiane me alpinistë (njëherësh studiues me tituj shkencorë) të mirëfilltë. Ata kanë bilancin ma të pasur në sasi të ngjitjeve malore në Shqipëri të realizuar ndonjëherë, deri në ditët tona, nga një ekspeditë. Nga 1 Qershor deri më 27 Shtator të vitit 1940, ata realizuan 57 ngjitje (alpinistët e studjuesit:Saturini, Mazzoni dhe Ghiglione) të majave nga më të lartat, e më të rëndësishmet e vendit tonë. Në disa prej ngjitjeve ata morën si pjestarë të grupit të ngjitjes edhe malësorë a banorë vendas, të cilët gjithashtu i ngjitën majat bashkë me alpinistët Italianë. Dy prej anëtarëvë të ekspeditës Italiane (në bazë të njohurive të mija) pas përfundimit të ekspeditës na dhanë botime. Botimi i Dr. Luigi Saturini-t “Spedizione alpinistica italiana nelle Alpi Albanesi” 1940 – XIX” u botua në vitin 1941. Për vlerat alpino-turistike të maleve Shqiptare dhe përshkrime të itenerarëve drejt majave (bashkë me një studim që meret me Rapsodët e malevet shqiptare prej Nicola Lo Russo Attoma) u shkrua nga Piero Ghiglione në botimin e tij të përkthyer në shqip “Malet e Shqipnis” (Botime të DISTAPTUR-it në Tiranë).

Pas luftës së dytë botërore, orientimet e partisë në pushtet, ishin në rradhë të parë për lëvizje sportive masive dhe kjo bëri që të realizoheshin ngjitje malore kryesisht me sa ma shumë pjesëmarrës në itenerarë të njohur (të thjeshtë) drejt majave të maleve si në Bjeshkët e Namuna, ashtu edhe në zona të tjera malore. Pati edhe veprimtari të formës garuese, nën emërtesën alpinizëm, me ngjitje në majën e Dajtit e me nisje nga Sheshi Skëndërbe, por këto të fundit duke mos qenë alpinizëm, por maratonë malore, patën jetë të shkurtër në kalendarin alpinistik.

Bum cilësor alpinizmi në Shqipëri filloi të marë nga viti 1956 e më pas. Më Korrik të këtij viti në fshatin Theth u organizua e para “shkollë” për mësimin e njohurive teknike të alpinizmit. Organizator e drejtues i saj ishte Minella Kapo. Kjo lloj shkolle u orgazanizua rregullisht për çdo vit deri në vitet 70-të, madje u organizuan edhe kurse alpinistike në sezonin dimëror duke filluar nga viti 1958 në Malin e Dajtit, fillimisht vetëm me studentë universitarë. Këto lloj kursesh alpinistike, krijuan mundësinë që të rrinjtë të marrin njohuritë e domosdoshme teknike për të ndërmarrë itenerarë më të vështirë drejt majave të maleve. Kjo bëri, që gradualisht të ngjiten një nga një majat ma të larta të maleve nga të rinjtë e kohës si gjatë sezonit veror, edhe atij dimëror. Në vitet 1959 e 1960 u realizuan edhe veprimtari alpinistike verore, si brenda e jashtë vendit, me alpinistë gjermanë, çekë e sovjetikë,të cilat vlejtën në përvojën e atij brezi alpinistësh. Përvoja gjermane në këto veprimtari u bë modeli udhëheqës i alpinistëve të viteve 60-të si dhe më pas.

Vitin 1964 e vlerësoj si një vit batinë të zhvillimit të alpinizmit në Shqipëri. Në verën e këtij viti, përsëri nën nismën dhe drejtimin e Minella Kapos, u studjua vlera alpinistike e Bjeshkëve të Namuna, si dhe u formësua litarimi për realizimin e ngjitjes së malit, veçanërisht kur ngjitja dominohet nga kacavarja. Mënyra se si u realizuan ngjitjet e sezonit veror më 1964, mbeti mënyra me të cilën realizohen ngjitjet alpinistike dhe kacavarjet edhe sot.

Ndërkohë, ngjitjet më cilësore alpinistike (d.m.th. më të vështirat nën vështrimin teknik) të sezonit dimëror (periudha 22 Dhjetor – 21 Mars) kaluan gradualisht nga ngjitjet në maja të veçanta në ngjitjen e majave përgjatë kreshtave malore me ditë të zgjatura të kampimit dhe të qëndrimit në lartësi. Fundi i viteve 80-të besoj se do të kujtohet si koha, kur në sezonin dimëror filloi edhe realizimi i itenerarëve për në majë të malit me segmentë kacavarje.
Për gjatë tre dekadave (1960 – 1990) alpinizmi shqiptar bëri majë si në këndvështrimin cilësor ashtu edhe në atë sasior. Ngjitjet shkëmbore në majën e Arapit, veçanërisht ato të faqes jugore, Boshit, etj, traversat dimërore në kreshtën e djathtë të Luginës së Valbonës, ngjitja e faqes veriore të kunjit të alpeve tona, Jezerës, etj, ishin vlera të cilat për nivelin e alpinizmit në vitin 2015, nëse do të përsëriteshin, do ishin objektiva madhore. Kontribut të shquar deri në këtë kohë dhanë alpinistët Vasil Stambuli, Kozma Grillo, Vasil Vreto, Aleksandër Bojaxhi, Petraq Kule, Toli Biqyku, Taxhedin Shehu, Azem Hyka, Nuredin Seci, Vangjel Ristani, Sokol Doko, Ilir Tapia, etj, si dhe klubet Partizani, Tirana, Korabi, Tomori, etj.

Në mbyllje të shekullit të kaluar, për rreth një dekadë a më shumë, alpinizmi ynë egzistoi më shumë si një institucion zyrtar (i përfaqësuar nga sekretarë të ndryshëm të Federatës së Alpinizmit).

Në këtë shekull shohim një rilindje të veprimtarive alpinistike e cila pasqyrohet edhe me emra alpinistësh krejt të rinj. Ka prej tyre që realizojnë itenerarë cilësorë në kacavarje dhe ka të tjerë të cilët po bëjnë emër me ngjitjen e majave të mbuluara nga bora dhe akulli.

Dua të theksoj se mbresëlënëse për opinionin mbarëkombëtar janë ngjitjet e alpinistëve tanë në maja të njohura në arenën alpinistike botëroe si: Mali i Bardhë, Mali Kilimanjaro, Mali Elbrus, Mali Denali, Aconcagua. Disa alpinistë janë përfshirë në lëvizjen alpinistike botërore Seven Summits, që ka kuptimin e ngjitjes së majës më të lartë të sejcilit prej shtatë kontinenteve të rruzullit tonë. Sigurisht ngjitje kulmore është arritja në pullazin e Botës, Everest (8.848 m), të ekipit tonë me gjashtë alpinistë më 25 Maj 2012. Këta gjashtë alpinistë, Mat’heo Begeja, Erlin Rudho, Gerti Pishtari, Fation Plaku, Gjergj Bojaxhi (përgjegjës dhe anëtar i ekipit), Xhemal Begeja, i dhanë kombit tonë dhuratën më të bukur sportive në vitin e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë.