Shkurt 2024

Maja e Alisë, “tortë” alpinistike, 4 shkurt 2024

Me një pjesë të anëtarëve të shoqatës, të cilët nuk patën mundësinë t’i bashkangjiteshin grupit të 28 janarit për ngjitjen e majës së Alisë, vendosëm të provonim sërish ngjitjen e kësaj maje sfiduese, por kësaj here të pajisur “deri në dhëmbë” me litarë, piketa e me më shumë mjete të tjera, për të provuar shtegun klasik.

Niveli i borës ishte i njëjti dhe kësaj here grupi vendosi të niset në mëngjes një orë më herët për t’i dhënë më shumë shanse suksesit. Ishim një grup relativisht më i vogël nga ai pari, por na u bashkuan edhe dy djem të AST Elbasanit si dhe dy nga shoqata Tomorri i Beratit.

Fusha e Gjes, fshati i Rragamit dhe ngjitja deri tek Simoni kaluan pa pushime, përveçse në këmbë për të hequr ndonjë shtresë nga djersët, për shkak të një ritmi më të shpejtë në ecje. Një pushim tjetër mjaft i shkurtër u bë afër qafës së Valit për të vënë kthetrat, dhe në oën 10e30 ndodheshim në ngjitje të korridorit drejt Majës së Alisë (deri këtu dy orë e gjysëm më shpejt se javën e kaluar).

1-2

Pas një këqyrje të shpejtë por të domosdoshme të kreut të korridorit nga Floriani (Sini), grupi i hyri shtegut djaththas, anë që e kishim injoruar me vetëdije javën e kaluar. Detjoni (Skëndaj) çau një kanal të thellë në borën e butë të hedhur nga era dhe siguroi me një litar që u përdor vetëm nga dy të parët pasi shtegu ishte mjaftueshëm i sigurt për të tjerët që e ndoqën.

Pasi kaluam edhe pjesën e fundit të pjerrët u gjendëm shpejt në kreshtë, me pamje nga Thethi dhe vetëm rreth 20 metra përballë për në majë. Ervini (komandanti i javës së mëparshme) kishte patur të drejë: e gjithë faqja e malit nga ku kalon shtegu klasik ishte me akull dhe shikimi tek pjerrësia e frikshme e saj përfundonte në Theth.

Detjoni dhe Floriani u hodhën me kujdes në anën tjetër të një “ure” të gurtë të mbuluar nga bora dhe akulli e të ekspozuar nga të dyja anët, ndërsa Armandi (Bakalli) dhe Dioni (Biça) nisën të vinin piketat e borës në secilën anë të kalimit për të siguruar anëtarët e tjerë të grupit nëpërmjet litarit.

Detjoni dhe Floriani nisën kqyrjen e faqes shkëmbore prej 20 metrash përballë, për të gjetur një mundësi tjetër nga ajo e shtegut klasik që ndrinte nga akulli. Disa anëtarë të grupit, përfshirë dhe mua, u trembën me të drejtë. Pamja ishte e frikshme, dhe nisën t’i thërrisnin shokëve që të ktheheshin e ta mbyllnim me kaq veprimtarinë. Për një pjesë tjetër të grupit kaq mjaftoi që të vendosnin të mos shkonin më tutje, ndërsa unë u hodha nga ana tjetër e kalimit për t’u përpjekur t’i bindja “trimat”, nga afër, që ta mbyllnim ngjitjen pa rrezikuar më tej.

3-4 (1)

Ndërkohë Detjoni, i siguruar me litar nga Floriani, kishte gjetur një hapësirë djathtas, mbi Theth, mes dy shkëmbejsh të mbuluar nga bora dhe akulli dhe si një dhi e egër pa një pa dy u gjend lart shkëmbit. Aq m’u desh që ta ndiqja duke harruar se përse isha nisur për aty, dhe duke ndjekur litarin e siguruar nga të dyja anët nga dy djemtë e pashë veten dhe unë shpejt pranë tyre. Të dy, duke mbajtur njëri tjetrin ndihuam në sigurimin nëpërmjet litarit për të ngjitur me radhë mbi faqen vertikale Armandin, Skerdin (Petrelën) e më pas Dionin dhe në fund Florianin. Pas disa thirrjeve anëtarët e tjerë që të na ndiqnin ata nuk u bindën. Ne të gjashtëve tashmë na mjaftoi kalimi i kreshtës për të arritur Majën e Alisë.

5-6

Pamjes spektakolare iu shtua dhe një fluturim rreth nesh e një shqiponje gjigande mali, e cila u duk sikur na përshendeti për arritjen e radhës, siç e quajti dhe profesor Aleksandri, ishte një “tortë” e vërtetë alpinistike për variacionet e relievit. Ishte një prej ngjitjeve më të vështira të shoqatës në kushte dimërore.

Zbritja u krye nga i njëjti shkëmb, duke mbajtur njëri pas tjetrit djemtë me litar, ndërsa Detjoni (heroi i ditës), zbriti, siç edhe e kishte ngjitur, i siguruar me litar vetëm nga poshtë.

Zbritja në korridorin e pjerrët na u duk fushë me lule pas sfidës që kaluam edhe pse disa prej nesh nuk hezituam të përdornim sërish litarët duke u lidhur me njëri tjetrin për të qenë sa më të sigurtë.

Pas 12 orësh dhe 20.8 km vajtje-ardhje, me 1656m disnivel, Maja e Alisë na mirëpriti në kohë, duke qenë sipër saj në orën 12.15, nga ora 5e20 që kishim nisur ngjitjen.

Nga Ernest Bunguri

16 shkurt

Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës organizoi një veprimtari për të përkujtuar bjeshkatarët veteranë si dhe bjeshkatarët që nuk janë më – Post Mortem Ceremony.

7-8

Të ftuar në këtë ceremoni ishin përfaqësues nga federatat simotra: nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria.

Ndër mirënjohjet që u shpërndanë gjatë ceremonisë ishte dhe ajo që ju dha anëtarit të shoqatës sonë Z Aleksandër Bojaxhi.

9-10

Të nesërmen u organizua ngjitja në majën e Pashtrikut për nder të përvjetorit të Shpalljes së Pavarsisë së Kosovës nën partonazhin e Shoqatës Bjeshkatare Sharri të Prizrenit.

22 shkurt

11-12

Papritur na vjen foto nga mali i Gramozit! Për kënaqësinë e ngjitjes në një ditë plot diell Dion Biça, Armand Bakalli dhe i riu Dorian Mustafa u bënë bashkë dhe ju drejtuan malit të Gramozit duke realizuar një ngjitje të suksesshme me nisje nga Rehova. Urime djemve!

Le të admirojmë fotot që na sollën!

13-14

24 shkurt

Detjon Skëndaj, Florian Sini dhe Skerdis Petrela për kënaqësinë që të jep kacavarja shkëmbore ju drejtuan shkëmbenjve të shënuar të Krrabës.

Treshes i përcjellim përgëzime për stërvitjen e suksesshme që realizuan! Ne kemi rastin të kënaqemi me fotot që na dërguan.

15-16

17-18