Mars 2024

Datë 3

Detjon Skëndaj dhe Florisan Sini, duke patur si guidë botimin Climbing Guidebook Tirana, përsëri organizuan stërvitje në zonën e shkëmbejve të Krrabës.

01 Climbing Guidebook Tirana

2-3

Datë 6

Në mbledhje, që ishte lajmëruar, u vendos që Komisioni Teknik i SHBAT të riorganizohet. Kryetar i komanduar do jetë Florian Sini deri në datën 4 prill, datë kur do vendoset edhe përbërja e tij edhe kryetari i zgjedhur. Pasi Komisioni të të zgjedhë Kryetarin do përpilohet një Rregullore pune për këtë komision.

Datë 17

Maja Velivar 2373 m

Një pjesë e anëtarëve të Shoqatës Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana morën pjesë me 16 mars në disa veprimtari në Dibër duke iu bashkuar protestave vendore kundër projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Ndërtimi i tij parashikon përmbytjen e një pjese të mirë të gropës së Dibrës, përveçse kthen bujkun dibran në profesione të tjera.

Në mbrëmje tek bujtina Sabriu në Rabdisht mbërritën dhe miqtë nga AST Elbasani, Tomorri i Beratit dhe Beslidhja e Krujës. Mikpritja e Sabriut, e së shoqes së tij, si dhe ajo e veprimtarëve dibranë meriton notën dhjetë.

4-5

Të dielën më 17 mars u nisëm për të ngjitur Majën e Velivarit mbi Malin e Deshatit. Sabriu na përcolli sipas traditës deri në krye të fshatit të gurtë varur mbi shpat, dhe pasi na dha këshillat e fundit për shtegun dhe rreziqet nga ortekët na dha dorën e na uroi ngjitje të mbarë.

Shtegu mbi Rabdisht ndiqte një përrua që kish çarë malin, për të dredhuar më pas mbi një kodër të veshur me pyje dushku, ahu e më lart me arnenin legjendar.

Tek stanet vumë re që nuk kishte më shumë se 80 cm borë, që kish rënë katër ditë më parë. Rrugës për në kreshtë pamë dhe ortekë të rënë shpatit të pjerrët. Ky fakt ishte një rrezik orteku më pak për ne. Vendosëm atëherë të nisemi drejt majës më të lartë të Malit të Deshatit, siç e kishim planifikuar. (Si plan B në rast rreziku nga ortekët kishim ngjitjen e Majës Partizan mbi Rabdisht).

6-7

Në kreshtë ndoqëm shtegun nga krahu i Maqedonisë, disa kilometra nëpër një tjetër shpat të pjerrët, por që binte butë në disa livadhe malore të rethuar me pyje. Kreshtëm e kapëm sërish për ta ndjekur më pas deri në majë.

Dy shtigje gjarpëronin në dy anët e kufirit, të cilët takoheshin pas malit, në një ngjitje të pjerrët drejt majës. Ne zgjodhëm t’i binim në mes duke zgjedhur kreshtën. Rreth e rrotull na mbulonin re të zeza, por për fat ende larg shtegut tonë. Re të buta luftonin me diellin që dukej sikur na hapte rrugën për në majë. Kjo e fundit nuk shihej, ngase ishte gjithë kohën nën re, deri kur mbërritëm me diellin që triumfoi për të na çelur pamjen 360 gradë mbi majën e Velivarit. Në lindje parku i Mavrovës, në jug liqeni i Dibrës, në perëndim lugina e Drinit, Lura, në veri qyteti i Peshkopisë…

Nga kreshta na u desh të kapërcenim të tjera maja, sfilitëse deri sa arritëm Velivarin, pas 12.7 km udhëtim dhe 7 orësh me pak pushime të shkurtra. Kthimin ndërkohë vendosëm ta bënim në fshatin Ilnicë, vetëm 3 orë larg majës, ku na priste një makinë që na e kishte porositur Sabriu.

8-9

Pasi Sabriu na priti edhe njëherë më gjithë të mirat dhe pranë zjarrit për t’u ndërruar, u nisëm drejt Tiranës pasdite vonë të lumtur për ngjitjen e radhës.

Pjesëmarrës në veprimtari ishim: Ernest Bunguri, Armand Bakalli, Dion Biça, Aurora Piroviq, Shpetim Goga, Elsa Prela, Elona Xhepa, Gazmend Shehu.

Sa më sipër e solli, Ernest Bunguri

Datë 17

Në mëngjes herët ekipi u nis nga qendra e fshatit Bogë. Pjesëmarrës ishin: Aleksandër Bojaxhi, Elisabeta Kondi, Loren Rroço, Florjan Sini, Vangjel Nemce, Tomor Ganellari, Detjon Skëndaj, Irena Bakalli, Leonidha Fuqi, Sandër Fuqi.

10-11

12

Maja Bridashe ngrihet 2125 metra e lartë dhe ndodhet në pjesën veriore të fshatit.

Kushtet e borës dhe akullit bënë të mundur që në majë të arrijnë Detjon Skëndaj, Florion Sini, Irena Bakalli dhe Loren Rroço.

13-14

Kjo veprimtari u mbulua në 7 orë dhe 40 minuta. Shtegu gjithësej rezultoi të ishte 10.3 km dhe disniveli 1260m. Ekipi u drejtua nga Florion Sini

Datë 23 Papingji

Maja e Papingjit, 2.485 m e lartë, është pika kulmore e malit të Nëmërçkës. Në datën 22 në darkë në qytetin e përmetit u mblodhën ekipe të ndryshme të sporteve në natyrë të ardhur nga vendi ynë dhe nga vendet fqinjë. Kanoe, alpinizëm, turizëm malor, çiklista, etj, e bënë qytetin të gajallërohet si dhe të gëzojë me këngëtarët që u ngritën dy netë rrjesht në skenën e parkut të qytetit.

15-16

Më datën 23 përfaqësues nga SHBAT, Përmeti dhe Kruja u ngjitën në majën më të lartë të malit të Nëmërçkës.

Ngjitja dhe zbritja u mbuluan në 13 orë. Marshimi zgjati 27 km dhe u realizua disniveli ngjitje-zbritje prej 2.200 metra. Në përbërjen e ekipit që u ngjit në majë nga shoqata jonë ishin: Luan Xhoxhaj (komandant i veprimtarisë) dhe Elona Xhepa.

17-18

Po këtë ditë në qytetin e Tiranës varrosej Mjeshtri i Madh i vargjeve të mbi 4000 këngëve Jorgo Papingji.

Për nder të tij alpinistët vendosën në majën e malit foto të poetit të ndjerë si dhe një dedikim. Këto, të futura në një shishe, u lanë në majën e malit.

19

I njëjti ritual u krye edhe nga alpinistët e ekipeve të tjera alpinistike të vendit tonë që u ngjitën në këtë majë në kushte të motit të përkeqësuar me erë dhe temperaturë të ulët, në datën 24.

Datë 31

Maja e Madhe, ndryshe maja e Lugbatit 2.623 m. Është një nga tre majat me lartësi mbi 2.600 metra në Alpe (Jezera 2.694 m, Gjeravica 2.656 m).

20-21

Ngjitja u realizua në 10 orë; disniveli 1576. Ngjitje zbritje 13.5 km

Ekipi i drejtuar nga Detjon Skëndaj në orën 04:30 nisi marshimin nga Bujtina Margjeka. Ekipi përbëhej nga Detjon Skëndaj, Dion Biça, Armand Bakalli, Shpëtim Goga, Ledi Flanmuraj, Heral Saraçi dhe Florian Sini.

22-23

Itenerari ishte sfidues. Kishte vështirësi tenike sidomos të llojit të reliefit si dhe akullit.

Në majë mundën të ngjiten Dioni, Flori, Ledi, Detjoni dhe Shpëtimi.

24

Përsëri data 31

Të nisur nga qyteti i Korçës herët në mëngjes Leonidha Fuqi, Vangjel Nemce, Tomor Ganellari, Fiadel Ylli, Martin Mitace dhe Johan Pambuku ngjitën majën e Pustecit në malin e Thatë.

25-26

Ishte ngjitje mbresëlënëse për pamjet e mrekullueshe. Lartësia e malit, mbi 2.200 metra, të mundëson të shohësh liqenet e Prespës së Madhe (përfshirë ishullin e Maligradit/Gjarpërinjve), Prespës së Vogë si dhe liqnin e Ohrit.

27-28

Shbat