Tetor 2025
Në datë 5 Tetor SHBA_Tirana organizoi ngjitje në vargmalin e Lungarës, Majën e Kekës 1300m. Shtegu filloi nga Tragjas i vjetër pranë burimit të lumit të Izvorit. Arkeologët pranë Tragjasit të vjetër kanë datuar rrënojat e disa ndërtimeve qysh nga shekulli i IV-VII para Krishtit. Pranë fshatit ndodhet një Kështjellë me emërtimin Kalaja e Gjon Boçarit e periudhës së mesjetës.

Në fillim morëm drejtimin nga lindja duke ecur në një shteg të ngushtë që vetëm pas 1km futet në një pyll dhe lëvizja bëhej më e këndshme nën hijen e ahave dhe drurëve frutorë. Në pjesën më të madhe shtegu nuk ishte i shënuar por ishte shumë i dukshëm dhe i rregulluar me gurë. Në afërsi të kreshtës ndryshuam drejtimin dhe morëm për në jug-lindje për të kapur majën. Ecja në kreshtë u bë herë-herë nën re dhe nën një erë me shkulme 30-50 km/h që bëri që temperaturat të ndiheshin mjaft të ulëta.

Zbritja u realizua nga i njëjti shteg dhe në total u përshkuan 15,5 km dhe 1200 m disnivel për 6 orë. Në këtë aktivitet morën pjesë 7 anëtarë të Shbat: Luan Xhoxhaj, Drini Teta, Dhimitër Qirjazi, Skerdis Petrela, Elidjana Shehu, Detjon Skëndaj dhe Florian Sini.
12 Tetor SHBA_Tirana organizoi ngjitje në vargmalin e Radohimës duke ngjitur 3 maja: 2 maja të Vukalit dhe një majë pa emër me lartësi maksimale 2445m. Ngjitja u planifikua si një aktivitet 1 ditor ku ecjen e filluam në portën e shtegut në rrugën midis Bogës dhe Thethit. Herët në mëngjes morëm drejtimin në lindje në një rrugë me kalldrëm për 2 km që të ngjit në Shtegun e Dhenëve. Më pas ndryshuam drejtimin në veri-perëndim duke marrë shtegun klasik që të shoqëron për në Radohimë.

Pasi kaluam qafën midis majës së Vukalit dhe Binjakut të Bogës vazhduam edhe për rreth 100 m dhe u kthyem majtas dhe lart për tu ngjitur në një shesh të gurtë ku mund të admirohej një pjesë e mirë e luginës së Bogës. Më pas vazhduam përsëri në drejtim veri-perëndim duke ecur në një terren të thyer karstik derisa kapëm kreshtën dhe më pas majën pa emër të vargmalit të Radohimës.

Pamja nga maja qe 360° duke na hapur përpara një panoramë majash spektakolare nga Jezera, Grykat e Hapta, Maja e Madhe, Boshi, livadhet e Bogës, Karafili, Langojt, Xhevahiri. Më pas filluam zbritjen po nga i njëjti shteg dhe pasi arritëm në platformën e gurtë ndryshuam drejtimin në jug-perëndim për t’u ngjitur në majën e parë teknike të Vukalit me lartësi 2220m. Ngjitja këtu ishte një kacavarje e gradës së 2-3 në një itinerar rreth 25m lartësi. Pasi zbritëm këtë majë u ngjitëm edhe në majën e dytë të Vukalit që nuk paraqiste vështirësi por që na dhuroi një panoramë po aq mbresëlënëse sa maja e parë. Zbritja u realizua nga i njëjti shteg dhe në total u përshkuan 14,5 km dhe 1400m disnivel për 8 orë. Në këtë aktivitet morën pjesë 10 anëtarë të Shbat: Luan Xhoxhaj, Dhimitër Qirjazi, Skerdi Tefa, Detjon Skëndaj, Florian Sini, Dritan Tafhasaj, Elona Smeli, Marinela Laraku, Leonidha Fuqi dhe Bledi Preza.
Në datë 19 Tetor Bashkia Tiranë organizoi Maratonën e Tiranës. Në këtë maratonë morën pjesë disa anëtarë të SHBAT në disiplina të ndryshme. Ky eveniment ishte një aktivitet shumë i mirë për të frymëzuar sado pak qytetarët për shumë kauza sidomos për rëndësinë që ka sporti në jetën e çdo njerit prej nesh. Disa nga anëtarët që morën pjesë ishin Detjon Skëndaj, Florian Sini, Redi Fishta, Dhimitër Qirjazi, Aleksandër Bojaxhi i Riu, Erlin Rrudho.


Shbat





