Nentor 2025
Dt 2 Nëntor
Në datë 2 nëntor SHBA Tirana organizoi ngjitje në Majën e Golishit 2021m. Shtegun e filluam pranë rrugës midis Selcës dhe Lepushës. Pjesa më e madhe e shtegut kalon nëpër pyll ahu dhe ishte e shënuar mirë. Pasi lamë pyllin ju drejtuam qafës që njëkohësisht të lidh edhe me fshatra të tjerë si Vukli dhe Nikçi. Sapo dolëm në qafë na u hap përpara një pamje e mrekullueshme e Alpeve veri-lindore. Nga qafa për në majë ndoqëm kreshtën dhe ndërkohë moti u përkeqësua me shkulme ere duke e mbuluar majën me re. Në këtë aktivitet morën pjesë 7 anëtarë. Kthimi u realizua nga i njëjti shteg dhe në total u realizuan 13 km me 1450 m disnivel për 6 orë e 45 min.


Dt 15 nëntor
Në datë 15 Nëntor u organizua ngjitje në vargmalin Korab-Deshat, Majën e Skërtecit 2431m. Ngjitja u planifikua si një aktivitet një ditor ku ecjen e filluam pak para se të arrinim në fshatin e vogël Zagrad. Shtegu vazhdonte në drejtim veri-lindje dhe ishte jo vetëm i dukshëm por edhe i shënuar pasi është pjesë e projektit High Scardus Trail. Koha gjatë aktivitetit qe shumë e mirë gjë që na mundësoi të shijonim edhe pamjen e mrekulleshme të majave, fushave dhe pllajave të kësaj zone. Vetëm disa metra para se të arrinim në majë kreshta paraqitej shumë e ngushtë dhe kërkonte vëmendje të shtuar. Në këtë aktivitet morën pjesë 16 anëtarë. Kthimi u realizua nga i njëjti shteg dhe në total u realizuan 14 km me 1400 m disnivel për 6 orë.



LAJM:
Në datat 28 – 29 Nëntor në Korçë u organizua mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Federatës së Alpinizmit dhe Turizmit Malor.
Në këtë mbledhje u prekën çështjet si më poshtë:
Raportim dhe diskutime për veprimtaritë e zhvilluara nga Federata gjatë vitit 2025.
Planifikimi i veprimtarive nga ana e Federatës për vitin 2026.
U rishikua statuti i Federatës për tu përshtatur me rregullat e Federatës Botërore të Ngjitjes Sportive.
Pjesëmarrësit në këtë mbledhje bënë dhe foton e përbashkët.






