Mars 2026
1 Mars
Ngjitja në Gryk e Hapt 2,510m (Maja Ismet Sali Bruçaj)
Të dielën, më 1 mars, SHBAT organizoi si aktivitet dimëror ngjitjen në Majën e Grykës së Hapët. Ngjitja në këtë majë (2,510 m) në kushte dimri ishte një sfidë e vërtetë dhe aspak e lehtë. Për ta realizuar me sukses, kishim marrë në konsideratë çdo detaj: që nga kushtet meteorologjike deri te gjendja e borës dhe e akullit, pasi rrezikonim të përballeshim me ortekë të mëdhenj nga muret me lartësi 700–800 m.

Shtegun e filluam nga bujtina “Margjeka” nën një qiell shumë të kthjellët dhe me borë që në hapat e parë. Pasi kaluam pyllin dhe u drejtuam drejt juglindjes, vumë re se kishte rënë një ortek goxha i madh; na u desh të ngjiteshim mbi masivin e tij për rreth 1 km për të fituar 300 m lartësi.

Vazhduam të përshkonim borën e thellë derisa arritëm te një kanal akulli dhe një faqe shumë e pjerrët (55–70°), me gjatësi rreth 80 m. Edhe pas kësaj pike, terreni mbeti mjaft i pjerrët (40–55°) derisa dolëm në kreshtën e malit. Kreshta ishte e ngushtë dhe shumë e ekspozuar nga të dyja anët, prandaj na u desh të bënim sigurim me piketa dhe litarë në tri segmente (me një gjatësi totale prej 120 m) për të kaluar në mënyrë të sigurt.

Pas kësaj sfide, vazhduam edhe për 100 metra lartësi deri në mbërritjen në majë. Pamja 360° e Alpeve Veriore ishte e mrekullueshme. Në këtë aktivitet morën pjesë Florian Sini (komandant), Detjon Skendaj (komandant), Skerdis Petrela, Dhimitër Qirjazi, Dion Bica, Arif Biçoku, Shpëtim Goga, Elona Smeli dhe Dritan Tafhasaj ku të gjithë arritën në majë.
Përpilues i tekstit si më sipër, Florjan Sini.
15 Mars
Kreshta e Malit te Gamtit 1268m
Nuk pati dakordësi për ngjitjen në Majën e Kulmakut (Berat), ndaj vendosëm krejt rastësisht të ngjisnim Majën e Gamtit nëpërmjet kreshtës.

Ngjitja e kreshtës ishte teknike, me vështirësi të shkallës së dytë dhe të tretë. Në tri momente përdorëm litarë sigurues të lidhur në pikat fikse të ankorimit në shkëmb, për të rritur sigurinë gjatë kacavarjes.

Pasi kaluam pjesën shkëmbore, të cilën e përshkuam për 2 km me 465 m disnivel, morëm një shteg të pashënuar dhe shumë pak të shkelur në drejtim të majës. Pas 1.5 km të tjera dhe 320 m disniveli, arritëm me sukses në majë.

Zbritjen e realizuam nga shtegu klasik në drejtimin veri-perëndim për 1.4 km. Më pas, ndryshuam drejtimin drejt jug-lindjes duke ecur edhe 3.5 km të tjera deri te vendparkimi i makinave. Në këtë aktivitet morën pjesë, Florian Sini, Luan Xhoxhaj, Skerdis Petrela, Elidjana Shehu, Zini Osmanaj dhe Enkeleda Neziri. Të gjithë pjesëmarrësit arritën në majë.
29 mars
Maja Shëndëlli 1250 m
U organizua ngjitja në majën më të lartë të Karaburunit, Maja e Shëndëlliut 1500 m. Gjatësia e itenerarit 17 km, disniveli 1300m. Koha e plotë ngjitje-zbritje 7 orë.

Pjesëmarrësit: Detjon Skendaj komandant i ekipit si dhe Marinela Laraku, Dhimitër Qiriazi, Aleksandër Bojaxhi I Riu.

Shbat





