Prill 2026
Maja e Pelpenikut (1965 m)

Më datë 5 prill, SHBAT organizoi ngjitjen drejt majës së Pelpenikut (1965 m). Shtegu fillon nga Sllatina, një fshat i vogël i Dibrës (Peshkopisë). Shumë shpejt, sapo kalon fshatin, shtegu të fut në një pyll mjaft të bukur me pisha dhe bredha alpinë, të cilët të shoqërojnë deri në afërsi të majës. Në disa vende shtegu është i dukshëm, por sapo mbulohet nga dëbora, shenjat orientuese mungojnë. Pamjet gjatë ngjitjes janë të mrekullueshme.

Në lindje dallohet qartë vargmali i Korabit me të gjitha majat e tij. Shihen qartë Maja e Gramës dhe maja të tjera rrethuese.Pasi arritëm në majë, përshkuam gjithë kreshtën e malit dhe kthimin e realizuam nga ana tjetër. Kjo ngjitje mbetet një eksperiencë shumë e veçantë, falë natyrës fantastike dhe panoramës karstike që të ofron kjo zonë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Florian Sini, Detjon Skendaj, Kristi Shuli, Arif Bicoku, Vladimir Cfarku, Gerti Pishtari dhe Iglin Shyti. Të gjithë arritën në majë. U përshkuan 11,5 km dhe 900 m disnivel.
Maja e Kulmakut 2174m
Më 19 prill, SHBAT organizoi ngjitjen në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit. Ngjitja në dy majat e Kulmakut është një eksperiencë fantastike që mund të realizohet në çdo stinë.
Fillimisht zbritëm drejt një lugu me livadhe mbushur me lule shumëngjyrëshe, për të vazhduar më pas rreth 600m përmes pyllit. Pasi dolëm në terren të hapur, morëm drejtimin juglindor drejt kreshtës së malit, e cila zgjatej për rreth 2.5 km. Ecja “lart e poshtë” përgjatë kreshtës na çoi drejt dy majave të Kulmakut, nga ku panorama ishte thjesht mahnitëse!

Në këtë veprimtari morën pjesë Florian Sini, Detjon Skendaj, Luan Xhoxhaj dhe Arif Bicoku. Të gjithë arritën në maje. U përshkuan 15.4 km dhe 1200m disnivel
Maja e Shkëlzenit 2405m

Më 26 prill, SHBAT organizoi ngjitjen në majën e Shkëlzenit. Shkëlzeni është një masiv i vendosur në lindje të Alpeve, i kufizuar nga lugina e lumit Tropojë në verilindje, lugina e lumit Gashi në jugperëndim dhe pellgu i Tropojës në juglindje. Kjo majë eshtë më e larta nga dy majat, maja verilindore e Shkëlzenit, arrin një lartësi prej 2,405 m dhe maja jugperëndimore, ajo e Radeshës, 2,314 m.
Për të arritur aty ku fillon shtegu, ndoqëm rrugën që të çon në rrethin e Tropojës dhe më pas vazhduam deri në afërsi të fshatit Hoxhaj. Shtegu nuk është i shënuar, por në të njëjtën pjesë është i dukshëm. Ndalesën e parë e bëmë tek hani në lartësinë 1210 m. Pastaj vazhduam në një grykë që na çoi në stanin e dytë. Më tej, terreni ka një pjerrësi të konsiderueshme, derisa arritëm në kreshtën e malit që të çon në një vend të shenjtë, të njohur si “Varri i Mirë”. Vendi mendohet të jetë vendvarrimit të njërit prej shoqëruesve të Sarı Saltık, një figurë legjendare sufiste e lidhur me përhapjen e Islamit në Ballkan gjatë shekullit të 13-të. Përtej kësaj pike, vazhduam deri në majë, nga ku pamja është madhështore.

Në këtë aktivitet morën pjesë Florian Sini, Detjon Skendaj, Luan Xhoxhaj, Dhimiter Qirjazi, Skerdis Petrela, Aleksander Bojaxhi I Riu, Arif Biçoku, Dion Bica, Zini Osmanaj, Leonidha Fuqi. Të gjithë arritën në majë. U përshkuan 15 km dhe 1670 m disnivel.
Shbat





